Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ktheu përgjigje presidenti Meta për deklaratën e 2 marsit, gjatë një konference shtypi paraditen e sotme. Në përfundim të takimit me homologun austriak, Wolfgang Sobotka, lidhur me deklaratën e Metës për shpërndarjen e Parlamentit nëse maxhoranca nuk merr parasysh dekretet e tij për ndryshimet në ligjin për betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ruçi zgjodhi mesazhin mes rreshtave:
“Si kryetar i Parlamentit them se kemi në fokus hapjen e negociatave, reformën në drejtësi dhe transparencë për fondet e Konferencës së Donatorëve. Secili institucion është legjitim në vendimet që merr, edhe presidenti në dekretet që miraton ose kthen. I tillë është edhe me dy dekretet e fundit, që Kuvendi do t’i shqyrtojë me kujdes, brenda afateve. Mirëpres Presidentin sa herë që ai dëshiron të vizitojë parlamentin. Ose do të mirëprisja apo lexoja çdo mesazh që ai do t’i drejtonte me shkrim parlamentit”, tha Ruçi.