Programet trajnuese për përmirësimin e aftësive komunikuese, ndërvepruese dhe sociale të personave duhet të fillojnë në një moshë më të re nga sa mendohej deri më tani. Sipas një studimi të fundit njerëzit fillojnë të humbasin interesin për bashkëveprimin me shoqërinë në fund të të 30-ve dhe në fillim të 40-ave.
Studimi është shtrirë në një hark kohor të disa viteve dhe në të janë përfshirë grupmosha të ndryshme. Qëllimi ka qenë studimi i sjelljes dhe aftësisë për të ndërvepruar me të tjerë. Kulmi i këtij ndërveprimi është mosha e adoleshencës, ndërsa pas kësaj moshe fillon rënia e interesit për ndërveprim me të tjerët.
“Ajo që kemi zbuluar deri më tani ka qenë një hipotezë e izoluar deri më tani. Është e vështirë që të përcaktosh saktë moshën kur ndryshohet sjellja sociale, por është me rëndësi që të kuptojmë se çfarë do të thonë për një shoqëri që plaket këto ndryshime. Kur ndërveprimi shoqëror ulet, venitet, pakësohet njerëzit ndjehen më të vetmuar, ka më shumë depresion, stres dhe sëmundje mendore dhe këto pasojnë probleme fizike”, thotë profesorja Heather Ferguson, pjesëmarrëse në studim dhe psikologe në Universitetin e Kentit në Britaninë e Madhe.
Në studim morën pjesë me mijëra banorë të moshës nga 10 deri në 90 vjeç.
“Testet përfshinin pyetje dhe vëzhgime të ndërveprimit të përditshëm të grupeve të caktuara, ku personat nën mbikëqyrje janë mbajtur për ditë me radhë nën vëzhgim përmes kamerave të vendosura tek syzet”, shpjegon Ferguson.
Psikologia britanike thotë se është vënë re që me personat e grupmoshës 35 deri në 45 vjeç fillon “vetmia” e madhe, që mendohej se ishte një fenomen që prekte kryesisht moshën mbi 65 vjeç. Ferguson sqaron se në këtë moshë vihen re shenjat e para të “sikletit” dhe “bezdisë” për të komunikuar e ndërvepruar me të tjerët, duke analizuar lëvizjet trupore dhe mimikat e personave nën vëzhgim.
“Në këtë grupmoshë vihej re më së shumti sikleti, dembelizmi dhe bezdia për të ndërvepruar me të tjerët. Shihej përmes gjesteve të shumta trupore, shpesh të pakuptimta, apo përmes uljes së syve në tokë dhe jo përballe me bashkëfolësit, apo bashkëvepruesit. Të gjitha këto janë shenja të rënies së dëshirës për ndërveprim social”, thotë Ferguson.
Në bazë të rezultateve të përftuara nga ky studim, shkencëtarët në fjalë kërkojnë nga qeveritë dhe organizata e shoqata të ndryshme të shëndetit mendor që të ndryshojnë politikat dhe të përqendrojnë programet e tyre kundër ankthit, stresit e depresionit duke shënjestruar më së shumti grupmoshën 35 deri në 45 vjeç.