Në një njoftim për mediat, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dha këtë të diel informacion për gjendjen e akseve kryesore të vendit, si pasojë e motit.
Kështu, sipas ARRSH, në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjatë gjithë natës kontraktorët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset kombëtare të këtij rajoni ku përfshihen rrugët e qarkut të Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës qarkullimi kryhet pa zinxhir.
Në Rajonin Verior Shkodër: Kontraktorët kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset e këtij Rajoni ka përmirësim të dukshëm të gjendjes së akseve.
ARRSH rekomandon përdorimin e sinxhirëve në segmentet rrugore, Qafë Mali-Fierzë, Ura e Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Trebisht-Doganë
Ndërsa në segmentet rrugore Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë Draje, Peshkopi-Ushtelencë, Domaj-Draj Rec, Bulqizë-Fushë Bulqizë, zinxhirët rekomandohen pjesërisht
Në Rajonin Qendror Tiranë: Puna nga ana e kontraktorëve vazhdon për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.
Në akset Rrugët e Dajtit (Qafë Priskë – Qafë Mollë, Qafë Priskë – Shëngjergj), Rruga Lunik –Steblevë, Krujë-Sarisalltik, qarkullohet pjesërisht me zinxhir. Në akset e tjera të këtij Rajoni qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhirë.
“Për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit. Gjithashtu gjatë lëvizjes duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore”, e mbyll njoftimin Autoriteti Rrugor Shqiptar.