Politika Basha: Krim ndaj mjekëve dhe qytetarëve, janë shpërndarë maska të skaduara

Basha: Krim ndaj mjekëve dhe qytetarëve, janë shpërndarë maska të skaduara

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat këtë të martë, denoncoi se 1,2 milionë maska të skaduara janë shpërndarë për mjekët dhe qytetarët.

Basha i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet.

“Është e rëndësishme të ndiqen këshillat e mjekëve dhe stafit mjekësor, mbrojtja e vetme për përballimin e koronavirusit janë shërbimet shëndetësore të cilat po punojnë me vetëmohim, mjekët gjenden në kushte mizerabël.

Pak orë më parë sekretari i përgjithshëm nga terreni denoncoi se maskat njëpërdorimshme janë të skaduara. Është kriminale, ftoj prokurorinë që të nisë menjëherë procedimin për këtë veprim. Stafet mjekësore po rrezikojnë gjithçka për t’iu ardhur në ndihmë qytetarët. Ky akt tregon se qeveria është e papërgatitur por edhe e papërgjegjshme.

Maskat e skaduara pa mjete mbrojtëse mjekët rrezikojnë vetë, familjet dhe pacientët. Ata kthehen në këtë mënyrë në viktimat e para për këtë veprim. Spitalet janë të papërgatitura për të pritur pacientët në kushtet spitalore. Kapacitetet spitalore shqiptare nuk kalojnë më shumë se 120 shtretër. Kjo është kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Duket haptazi se qeveria nuk ka m marrë masat e duhura edhe pse u njoftua dhe paralajmërua 2 javë më parë.

Është urgjente që kjo sjellje e papërgjegjshme të ndalet menjëherë dhe qeveria të akordojë fondet për tu përgjigjur situatës së rëndë. Ekipet kanë raportuar se spitalet në vend janë të mjerueshme. Maska jo të skaduara, syze, doreza dhe bluza të përshtatshme në mënyrë që mjekët të parët dhe infermierët të jenë të mbrojtur.

Edhe njëherë të dashur qytetarë iu bëj thirrje që mos të neglizhohet asnjë shqetësim dhe ti drejtoheni mjekëve dhe specialistëve dhe mjekëve tu jepen të gjithë masat e duhura mbrojtëse. Nuk duhet të keni dyshime se Shqipëria ka mjekë shumë profesionistë për tu përballur me sëmundje të tilla.

Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet e duhura personelit mjekësor. Nga ana tjetër qeveria duhet të ketë një plan të qartë dhe të saktë për ngritje e karantinës por sic mësuam vetëm sot ka akorduar fondin për të. Kemi propozuar që një prej prindërve të marrë leje për të qëndruar me fëmijët në shtëpi. Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar për gjithçka, pa panik por me kujdes të madh”, tha Basha.