Kryeministri bavarez, Markus Söder të shtunën shkoi në rajonet e prekura nga rënia e madhe e dëborës që ka shkaktuar mjaft vështirësi. Söder u informua edhe për aksionet e ndihmës të forcave të shpëtimit në Bad Tölz. Të shtunën në mbrëmje fillojnë sërish reshje të mëdha dëbore. Në pesë qarqe bavareze është shpallur gjendja e alarmit.
Rrezik paraqesin sidomos çatitë e rënduara nga sasia e madhe e dëborës. Ushtria gjermane ka dërguar 350 ushtarë në rajonet e prekura që të pastrojnë masat e dëborës, të furnizojnë banorët me ushqime e të transportojnë ndihmësit vullnetarë me automjete të rënda. 300 ushtarë të tjerë janë në gatishmëri. Një zëdhënës i Kryqit të Kuq Bavarez është shprehur se “megjithë angazhimin disa ditor të vullnetarëve, shohim forca mjaft motivuara”. Shqetësim përbën në rajon edhe rreziku i orteqeve. Fluturimet ajrore po ashtu janë prekur nga situata e dëborës. Në aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit janë anuluar të premten 100 fluturime.
Edhe hekurudha nuk paraqitet në gjendje më të mirë, mjaft linja hekurudhore nuk përshkohen për shkak të dëborës. Në Austri forcat e shpëtimit morën me helikopter nxënësit e një shkolle gjermane që ishin bllokuar nga dëbora.