Politika Rama-Bashës: Boll vazhdove t’i frysh fyellit në një vrimë, kjo është luftë...

Rama-Bashës: Boll vazhdove t’i frysh fyellit në një vrimë, kjo është luftë dhe jo lojë

Kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë akuzave të Partisë Demokratike për maskat, sipas të cilëve janë të skaduara.

Rama tregoi gjatë mbledhjes së qeverisë një dokument, ku tha se kanë ardhur nga Kanadaja.

Rama i bëri thirrje Bashës që të mos merret me sulme dhe të hedhë helm në këtë situatë të tillë me koronavirusin.

“Merruni kur të mbarojë epidemia me prokuroria dhe me akuza dhe me sulme dhe me helme, por jo tani. Mos na bëni të gjithëve njësoj. Keni rastin të dukeni si ne. Ti Lulzim ke rastin të dukesh si unë për një periudhë kohe. Nuk të del keq, më beso dhe boll vazhdove ti frysh fyellit po në atë vrimë, ku vetëm zvogëlohesh sepse kjo është luftë nuk është lojë”, tha Rama.

Rama e cilëson si djallëzore faktin që Partia Demokratike rrëmon si minjtë për të nxjerrë fakte që janë të pavërteta.

“Sapo përfunduam pjesën e parë morëm informacionin që për fat të keq, përsëri Lulzim Basha ridel dhe bën thirrje për nuk e di se çfarë përveç atyre të zakonshmeve por përsëri këmbëngul që janë shpërndarë maska mbrojtëse të rrezikshme. Madje paska kërkuar edhe prokurorinë. Kjo është certifikata o të nderuar kolegë konkurrentë apo kundërshtarë që akoma dhe sot dhe pasi iu thuhet drejtpërdrejtë në sytë e të gjithë popullit jeni gabim, jeni gabim, jeni gabim sepse edhe sikur ju të kishin konstatuar vërtetë një problem që nuk është fare problem siç tregon certifikatë sepse është autoriteteve kompetente në Kanada sepse nuk mundet dot të vijnë me trajlera, të vijnë nga Kanadaja pajisje mjekësore që janë të rrezikshme. E tregova dhe rrugëtimin e tyre. Përsëri, thonë një fjalë që të bësh është njerëzore, por të këmbëngulësh është djallëzore. Është djallëzore që pikërisht tani dhe pikërisht kur të gjithë duhet të jemi bashkë, jo vetëm, që nuk keni përgjegjësinë më minimale, ndaj atyre që përfaqësoni dhe ndaj këtyre njerëzve që doni të jepni një kontribut, ejani dhe bëjeni bashkë me ne dhe na ndihmoni edhe ne, por përkundrazi rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqenat. Ja ku është certifikata, e cila quhet ekzaktësisht përshkrimi antimikrobial për maskat e fytyrës. E bën shumë të qartë që ajo data e skadencës që rrëmoni ju nuk ka lidhje fare me përdorimin e tyre dhe për më tepër jep të dhëna shumë specifike mbi përshkrimin dhe mbi efikasitetin e tyre”, tha Rama.