Bota Maqedonia e Veriut vendos ushtrinë në kufi me Shqipërinë

Maqedonia e Veriut vendos ushtrinë në kufi me Shqipërinë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka njoftuar në rrjetet sociale se ka vendosur të dislokojë ushtrinë në kufi me Shqipërinë, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Kreu i shtetit maqedonas informon se forcat ushtarake do të vendosen në Dibër dhe Qendër Zhupë për t’iu ardhur në ndihmë autoriteteve lokale për përballimin e situatës.

“Kam marrë vendim për të vendosur Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mbështetur vetëqeverisjen lokale në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe për të mbështetur forcat policore të Ministrisë së Brendshme në sigurimin e një pjese të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë në territorin e komunës së Dibrës. Vendimi u mor për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të hequr pasojat, pas deklarimit të një krize në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Njësitë e Ushtrisë do të koordinojnë aktivitetet e tyre dhe do të bashkëpunojnë me pushtetin vendor në Qendër Zhupë, policinë, Qendrën e Menaxhimit të Krizave dhe institucionet e tjera shtetërore të përfshira në trajtimin e krizës”, shkruan presidenti Pendarovski.