Që pas barazimit 1-1 në “Wanda Metropolitano” me një rivat direkt si Atletico Madrid, Barcelona njeh vetëm fitore në La Liga.
Të gjashtën radhazi e siguroi lehtësisht ndaj Eibarit në “Camp Nou” me rezultatin e thellë 3-0. Një sukses që e çon sërish në 5 pikë diferencën me “Los Colchoneros”, që vetëm pak orë më parë fituan minimalisht me Levanten.
Dy gola realizoi Luiz Suarez dhe mes finalizimeve të uruguaianit gjeti rrjetën edhe i zakonshmi Lionel Messi.
Interesant fakti që janë dy “yjet” e Barcelonës që rivalizojnë me njëri-tjetrin për trofeun e golashënuesit më të mirë në La Liga. Kryeson Messi me 17 gola dhe 10 asiste, ndërsa Suarez ndjek me 14 finalizime dhe 5 asiste.
Për kapitenin Messi goli ndaj Eibarit ishte jubilar, pikërisht i 400-i në La Liga në 435 ndeshje, me një mesatare 0.91 gola për takim, si askush më parë në elitën e futbollit spanjoll.
Duket se “blaugranat” nuk do të kenë rivalë seriozë për titullin, aq më tepër që Reali i Madridit ka mbetur pas me 13 pikë më pak, por me një sfidë më shumë për të luajtur.
Ndërkohë takimi i orës 16:15 mes Athletic Bilbaos dhe Sevilla përfundoi me fitoren 2-0 të ekipit bask.