Politika Pesë deputetë të PS aplikojnë për të shërbyer si mjekë

Pesë deputetë të PS aplikojnë për të shërbyer si mjekë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka bërë thirrje mjekëve që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.

Me një shënim në facebook, Balla shkuan se aplikuesit e parë, që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë janë pesë deputetë, përkatësisht: Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho.

Sipas Ballës, “sa më shpejt ta fitojmë betejën, aq më shpejt i rikthehemi normalitetit”.

Postimi i plotë:

Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës. E megjithatë, çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë.

Thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale drejtuar të gjithë mjekëve të licensuar, ndër aplikuesit e parë që janë përgjigjur pozitivisht janë pesë kolegët deputetë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho.

Kush është i të gatshëm të kontribuojë në menaxhimin e situatës, sot është pikërisht dita për ta dhënë atë kontribut dhe ky kontribut mund të jepet me veprime konkrete. Për llafe dihet kë kemi.

Situata e krijuar nga COVID-19 është padiskutim një sfidë e një natyre të veçantë, që ka në zemër të saj bashkëpunimin e shumanshëm me çdo individ. Në këtë çast, sistemi shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë.

Çdokush që mendon se mund t’i japë një dorë sistemit shëndetësor është i lutur të aplikojë sa më parë sepse sa më parë ta fitojmë këtë betejë, aq më shpejt do mund t’i rikthehemi rutinës dhe normalitetit të jetëve tona.