Nga Erion Muça
Në këto ditë të vështira psikologjike nga izolimi si pasojë e frikës cilido duhet të shfaqë nga vetja pjesën njerëzore, sociale dhe solidare ndaj tjetrit për ndihmë dhe mbështetje në çdo rast. në kohën kur vihet në rrezik jeta e njeriut dhe ekzistenca e tij aspektet materiale por edhe ekonomike si rregull dhe parim moral, etik dhe social, do të duhet të zhvendosen në radhë të fundit për nga prioritetet.
Ato duhet dhe të zëvendësohen nga vullnetarizmi për të ndihmuar ata në nevojë, nga vendosja në fokus primar e shëndetit të të gjithëve si dhe nga mundësia dhe barazia e të gjithëve për mjetet rrethanore e materiale të nevojshme e domosdoshme për mbijetesë.
Në çdo rast secili prej nesh duhet të shohë aspektin pozitiv dhe optimist se çdo vështirësi nga koronavirusi do të kalojë shpejt dhe kjo situatë kalohet me thjeshtësi nëse ndihmojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin, nisur nga qëndrimi larg ashtu edhe nga lehtësimi i njëri-tjetrit prej barrës dhe kostove të tjera komplementare dhe suplementare që nevojiten në pamundësi ekonomike apo në mungesë të punës nga karantinimi.
Por si çdo herë e si në rastet më të shpeshta kur kërkesa për ushqime apo mjete e materiale të tjera në këtë moment si të domosdoshme për mbijetesë para një armiku të panjohur të të gjithëve përballesh me një abuzim të shitësve të caktuar. të cilët duke shfrytëzuar momentin dhe rrethanat si dhe nga mungesa e kontrollit, rritin disafish fiktivisht çmimet e ushqimeve apo medikamenteve apo mjeteve mbrojtëse të nevojshme për tu mbrojtur.
Ky fenomen përbën herën e parë, kur kjo makutëri për të fituar nga situata, merr një karakter më të gjerë atë të dimensionit të përfitimit të ndyrë nga lufta për mbijetesë dhe përballë rrezikut për jetën të njerëzve duke nxjerrë në pah elementë të tmerrshëm të mungesës së solidarizimit, humanizmit, apo të kontributit social që duhet të japë secili nga ne në shoqëri.
Në fakt dallimi midis njeriut dhe kafshës është arsyeja e kur kjo e fundit mungon atëherë zhduket e shpërbëhet edhe shprehja e urtë që në kemi: “Njeriu(miku) i mirë në ditë të vështirë” duke na lënduar dhe kthjelluar, që kjo shoqëri bart edhe njerëz të lig e të këqinj, që gjejnë fiks momentin ta nxjerrin në pah ligësinë.
Në këtë fazë roli i ndërgjegjësimit të secilit për të mbështetur njëri-tjetrin është shumë i rëndësishëm por kur kjo rëndësi nuk kuptohet apo shpërfillet nga disa individë në favor të një përfitimi të paskrupullt të momentit, ndëshkueshmëria duhet të jetë shumë më shumë më ekstreme dhe radikale ndaj tyre. Ndëshkimi i tyre duhet të jetë jo vetëm me gjobë të majme apo mbyllje aktiviteti shoqëruar me heqje të përhershme licence por edhe penal.
Ndëshkimi i tyre duhet të jetë i dyfishtë njëherë për shkeljen e kryer dhe njëherë se me veprimet e tyre të qëllimta përfituese dëmtojnë parimet dhe vlerat tona sociale dhe njerëzore duke u bërë edhe precedentë me veprimet e tyre për të tjerët.
Megjithate ndjesia pozitive për të gjithë ne është se nr i abuzuesve ende nuk përbën masën e shoqërise tonë dhe se ato vlera dhe parime humane që dëmtohen nga disa rigjenerohen nga shumë të tjerë, e kjo bën që ato as mos të humbasin, e as të mos shpërbëhen por të forcohen, që njerëzit e denjë të shoqërisë, të nxjerrin konkluzionin që ruajtja dhe forcimi i tyre është kurdoherë veprimi i duhur.
Jetojmë në një realitet miks dhe një luftë e përplasje permanente midis globalizmit, komercializmit dhe mundësisë dhe pamundësisë për jetesë.
Pavarësisht këtij realiteti, njeriu nuk duhet të humbasë as integritetin, as personalitetin, as humanizmin e as të të qartësuarit se nuk është asnjëherë me veten e punon vetëm për veten, por ka një rol në shoqëri dhe duhet ta luajë atë, duke shpalosur nivelin më të lartë të vetëdijësimit individual, se mbështetja ndaj tjetrit në vështirësi, është parimi më i shëndetshëm i ushtrimit të këtij roli.
Besoj dhe shpresoj që ky artikull të ndikojë dhe të sensibilizojë këta shitës që të mos lëndojnë duke përfituar nga kjo situatë.
Nëse nuk i thërrasin as mendjes që të ndërgjegjësohen dhe as zemrës duke qenë njerëzorë, ndëshkimin nëse nuk do ta marrin nga ligji apo shteti do ta marrin nga zoti.