Një zyrtar qeveritar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se të hënën ka filluar testimi tek njerëzit i një vaksine kundër koronavirusit.
Ky eksperiment është përkrahur financiarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe po zhvillohet në Institutin Kërkimor Shëndetësor të Uashingtonit. Zyrtari që e bëri të ditur fillimin e testimit foli në kushte anonimiteti.
Zyrtarët shëndetësorë më parë kanë thënë se nevojitet një kohë prej 12 deri 18 muajve që të miratohet plotësisht përdorimi i ndonjë vaksine kundër virusit që e ka përfshirë pjesën më të madhe të botës, shkruan “AP”.
Testimi i vaksinës ka filluar me 45 vullnetarë të rinj e të shëndoshë në Seattle. Ata do të marrin doza të ndryshme, të cilat janë përgatitur nga kompania “Moderna Inc.” në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje për masa të shpejta për zbulimin e një vaksine. Ai madje dyshohet se është përpjekur të bindë një kompani gjermane për t’ia dhënë qasjen ekskluzive Shteteve të Bashkuara në vaksinën e mundshme që kjo kompani do të zbulonte.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me simptoma të lehta shërohen për dy javë nga koronavirusi, ndërsa ata me gjendje më të rëndë për tri deri në gjashtë javë.