Aktualitet Covid–19 nuk është grip! Pneumologu Perlat Kapisyzi: Vdekshmëria është më e lartë

Covid–19 nuk është grip! Pneumologu Perlat Kapisyzi: Vdekshmëria është më e lartë

Pasi OBSH e shpalli Covid–19 pandemi botërore edhe qasja e mjekëve për virusin ka ndryshuar. Profesor Doktor Perlat Kapisyzi, i ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi sqaron se virusi korona nuk është grip, përkundrazi.

“Nuk është grip. Nëse pandemitë e gripit e kanë mortalitetin nga 0-1% deri në 2%,3% Covid-19 thuhet deri tani që e ka vdekshmërinë 2%, 3%.  Është interesante që në gjithë këtë sfidë që ka pasur bota dhe shkencëtarët, krociera Diamond Princess i dha mundësinë që të përcaktonin saktë se sa ishte mortaliteti I bazuar në infeksionin real. Kurse deri në atë moment pa dalë studimi vdekshmëria ishte naive sepse nuk dinin më saktësi se sa realisht kanë vdekur nga Covid-i dhe sa është realisht numri i të infektuarve që një pjesë janë asimptomatik. Dhe doli që vdekshmëria reale ishte 0.5 %.“ –tha Kapisyzi në “Përballë”.

Ministrja e shëndetësisë lajmëroi këtë mbrëmje se është drejt shërimit një prej pacientëve të parë të prekur nga koronavirusi në Shqipëri.

Por sa rrezik ka që të shëruarit të infektohen sërish? Doktor Perlat Kapizyzi jep këtë përgjigje: “Gjasat janë të vogla që një pacient i shëruar të marr sërish virusin. Gjasat janë mbas një kohe që i lejon virusit të pësojë një mutacion. Ashtu si gripi, ne e marrim një vit, por mund ta marrim sërish vitin tjetër nëse ka ndodhur një mutacion”, –theksoi doktor Kapisyzi.

E megjithë vdekshmërinë e lartë, sërish pneumologu i njohur thotë se duhani mbetet rrezik më i madh për qytetarët se koronavirusi.

“Do shqetësohesha nga ai që pi duhan, se duhani vret 8 milionë njerëz në botë. Koronavirusi nuk ka të tillë vdekshmëri.”