Aktualitet Kinë/ Asnjë rast me Covid-19, studentja shqiptare tregon se si po rifillon...

Kinë/ Asnjë rast me Covid-19, studentja shqiptare tregon se si po rifillon jeta normale

Kina shënoi ditën e saj pa asnjë të prekur me Covid-19. Vendi ku nisi “lufta” me virusin duket se po i kthehet jetës normale. Studentja shqiptare që jeton në Kinë, Sidorela Cara në një intervistë për TvT na tregon se si i përjetoi ditët e izolimit dhe si është tashmë të rinisësh jetën normale.

Sidorela ju e përballuat e vetme koronavirusin në Kinë, larg familjes. Sa e vështirë ishte?

Kur ne mësuam se një virus i ri kishte filluar të përhapej, pa diskutim frika ishte e madhe. Duke qenë se në ditët e para askush nuk kishte një informacion të saktë për këtë virus që as emër nuk kishte në atë kohë, nuk e mohoj faktin se dhe kam qarë nga tensioni i madh që kalova. Megjithatë Universiteti im menjëherë mori masat e duhura për sigurinë tonë dhe kjo gjë më dha një ndjenjë besimi se çdo gjë do të shkonte mirë.

Pedagogët më dhanë këshillat e duhura në momentet e para. Këshillat kanë qenë nga me të ndryshmet, duke filluar nga çfarë solucioni është pastruesi më i mirë për dhomën deri në cilët janë spitalet apo farmacitë më të afërta për mua.

Si e kalonit kohën?

Ditët e para (flas 27 Janar deri diku 3 Shkurt) kanë kaluar pak të turbullta, sepse duke mos ditur se me çfarë po përballeshim frika nuk më linte të bëja asgjë tjetër veçse të ndiqja lajmet më të fundit mbi virusin. Më pas kur fillova të merrja informacionet e duhura për të u qetësova disi shpirtërisht dhe më duhej të mbushja ditën. Kanë qenë ditë të gjata dhe do të gënjeja po të thoja se nuk ishin monotone. Prapë se prapë, duke e ditur se izolimi është i vetmi armik i këtij virusi nuk kisha zgjidhje tjetër. Në 51 ditë izolim kam përmirësuar dukshëm aftësitë e mia në gatim. Kam lexuar. Kam mësuar pa fund mbi Sars- cov- 2. Në situata të tilla unë besoj se duhet të jemi gjatë të gjithë kohës të informuar mbi të rejat më të fundit në vendin ku jetojmë dhe në Bote.

Tani që është përfshirë dhe Shqipëria, si ndihesh?

Tani frika për mua personalisht është më e madhe. Duke mos qenë vetë në Shqipëri ndihem e pafuqishme për t’i dalë në ndihmë prindërve apo gjyshërve të mi. Frikën me të madhe e kam për këta të fundit sepse ata të dy janë me vulnerablit në këtë situatë.

Në Kinë shumë aktivitete po rihapen dhe po nis jeta normalisht. Si është të rinisësh rutinën pas karantinimit?

Rinisja e rutinës filloi paksa gradualisht dhe akoma jeta në karantinë nuk ka mbaruar plotësisht. Për shembull kopshtet, shkollat fillore, të mesmet, universitetet akoma nuk janë hapur. Kushdo që futet në Kinë nga shtetet e tjera i kërkohet të bëjë karantinë vetjake 14 ditore. Prandaj dhe nëse dje (18 Mars 2020) Kina shënoi fitoren e saj mbi këtë virus kujdesi është akoma maksimal dhe njerëzit akoma mundohen ti minimalizojnë sa munden daljet e tyre.

Cilat biznese janë hapur konkretisht?

Janë hapur thuajse të gjitha fabrikat. Farmacitë, supermarketet nuk janë mbyllur kurrë. Dhe pastaj varjon nga provinca në provincë dhe nga kompania në kompani kush punon nga shtëpia apo kush duhet të paraqitet në punë. Megjithatë kujdesi është maksimal. Dezinfektimi i ambienteve të punës i vazhdueshëm dhe njerëzit janë të gjithë me maska, doreza madje dhe syze gjatë punës. Edhe pse virusi quhet i mposhtur sërish masat e sigurisë vazhdojnë.

Kam lexuar se nuk të lejojnë të hysh në lokale pa matur temperaturën dhe të uleni ballë për ballë me dikë. Është e vërtetë?

Mëse e vërtetë. Jo vetëm matja e temperaturës, por dhe nëse dëshiron të ulesh në lokal tavolinat janë të vendosura në mënyrë të tillë që njerëzit të jenë larg njëri-tjetrit në përputhje me direktivat e WHO. Kinezët janë shumë të disiplinuar dhe i ndjekin me përpikmëri.

Një mesazh për shqiptarët që sapo e kanë nisur përballjen me pandeminë Covid-19?

Ne si shqiptarë gjithmonë kemi pasur një shpirt rebel. Kurrë nuk na kanë pëlqyer rregullat. Në këtë moment më shumë se kurrë duhet të veprojmë dhe të ndjekim verbërisht çdo këshillë apo rregull të vendosur nga ekspertët e fushës. Jemi në një luftë dhe varet vetëm nga ne si qytetar bilanci i të infektuarve apo fataliteteve që do të shohim në fund të betejës. Duhet të kuptojmë se sot trim nuk është ai që thyen rregullat dhe del në rrugë, por ai që vetizolohet. Me çdo ditë izolimi keni shpëtuar një jetë. Është i vetmi moment në histori që mundeni të jeni heronj duke ndenjur në shtëpi. Shfrytëzojeni.