Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të shtunë se askush nuk kërcënohet për vdekje për shkak të urisë, por të gjitha kërcënohemi nga vdekja për shkak të marrëzisë.
“Kush rri e rri dhe pastaj më shkruan për fukarenj që nuk rrinë dot mbyllur se nuk kanë bukë dhe me demek duhet të dalin në rrugë të mos bëjnë sikur shqetësohet për fukarenjtë, por ta mbledhë mendjen top se sot askush nuk kërcënohet për vdekje për shkak të urisë, por të gjithë kërcënohemi nga vdekja për shkak të marrëzisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se askush në këto 30 vite nuk ka vdekur nga uria në vendin tonë. Ai u shpreh se shqetësim për shtresën e varfër është pamundësia për të ushqyer familjen me tre vakte të plota, por për këtë në këtë situatë sipas tij po zhvillohet një operacion humanitar.
“Fukarenjtë nuk kanë dëngla për të shitur në Facebook dhe Instagram, janë dhe njoh shumë prej tyre njerëzit më të kuptueshëm të këtij vendi. Prandaj mos të bëhen merak këta fukarenjtë nga mendtë e kokës që shkruajnë se populli po vdes se nuk kanë bukë me “hangër”. Shqiptarët nuk kanë vdekur as në mesjetë dhe as në ato 50 vjet ku jetonte me 200 kalori në ditë, jo më në këto vitet e fundit kur asnjë person nuk ka vdekur për bukë në 30 vitet e fundit dhe tek më të varfrit nuk është vdekja nga mungesa e çapës së bukës, por nga pamundësia për t’u ushqyer me tre vaktet e që është problem i vërtetë”, tha Rama.