Politika Raporti: Mbi 1.5 milionë shqiptarë, jetojnë dhe punojnë jashtë vendit

Raporti: Mbi 1.5 milionë shqiptarë, jetojnë dhe punojnë jashtë vendit

Mbi 1.5 milionë shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Kjo e dhënë është publikuar në fletoren zyrtare në Profilin e Zgjeruar Kombëtar të Migracionit për vitet 2015-2018.

Duke marrë për bazë popullsinë sipas regjistrit civil më 1 janar 2018, e cila përfshin të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht vendbanimit të tyre sipas moshës dhe gjinisë, dhe duke i zbritur popullsinë banuese në vend (personat që plotësojnë kushtin e banorit të zakonshëm që jeton në vend për 12 muaj ose më shumë), është evidentuar se jashtë territorit të Shqipërisë ka një numër prej 1 584 137 personash gjithsej, nga të cilët 828 530 janë meshkuj dhe 755 607 femra.

Një nga metodat e tërthorta që INSTAT-i përdor për të nxjerrë numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe strukturën e tyre moshore e gjinore, është krahasimi i dy popullsive, asaj banuese dhe asaj të regjistrit civil.

Në mungesë të treguesve përfaqësues për gjithë popullatën, studimet e kryera nga shoqëria civile hedhin dritë mbi migrimin potencial të shtetasve shqiptarë, që, sipas tyre, vijon të mbetet e lartë, me rreth 52%, shkruhet në përmbledhjen e dokumentit.

Plakja e popullsisë dhe tregu i punës

Raporti tregon se popullsia shqiptare ka shfaqur shenja moshimi. Megjithatë, popullsia e Shqipërisë moshohet me ritme më të ulëta se popullsia e BE-së. Mosha mesatare e popullsisë ka ardhur në rritje, nga 34,7 vjeç në vitin 2015, në 36,1 në vitin 2018, duke u rritur mesatarisht me 4,2 muaj në vit. Ndërkaq, në piramidën e popullsisë shtohet popullsia mbi 65 vjeç, ndërsa grup-mosha nën 15-vjeç pakësohet.

Këtë e dëshmon edhe periudha 2015– 2018, me një rënie të popullsisë prej rreth 14 000 banorësh, ndërkohë që, gjatë katër viteve të fundit, norma e rritjes (uljes) së popullsisë është prej -0.2 % në vit.

Rrjedhimisht, pritet që migracioni të ketë gjithmonë e më shumë ndikim në tregun e brendshëm të punës (humbjen e aftësive dhe trurit, sfidat e mundshme në sistemin e sigurimeve shoqërore/pensioneve etj).

Emigracioni, zbraz periferinë

Emigracioni është shndërruar në një fenomen shqetësues për Shqipërinë vitet e fundit, duke zbrazur shumë qytete të vendit.

Rënia e popullsisë është vërejtur edhe gjatë tre viteve në fundit, pavarësisht së ritmi i rënies është më i ulët.  Gjatë  periudhës  2015–2018,  popullsia  u  zvogëlua  me  rreth  14  mijë  banorë,  me  një  ndryshim mesatar  vjetor  të  popullsisë  prej -0,2 %.  Kjo  situatë  vjen  si  rrjedhojë  e  uljes  së  shtesës  natyrore, kryesisht për shkak të rënies së numrit të lindjeve, ndërkohë që nuk vërehet shumë ndryshim në raport me vdekjet.

Gjithashtu,edhe  migrimi i femrave në moshë pune dhe riprodhuese ka ndikuar në treguesit më të rëndësishëm demografikë, siç është rënia e lindshmërisë.

Nga ana tjetër, ka një rritje të migracionit neto, nga rreth -21 mijë emigrantë më shumë sesa imigrantë në vitin 2015, në -15 mijë emigrantë më shumë sesa imigrantë në vitin 2018.

Emigracioni i parregullt

Emigracioni i parregullt i shtetasve shqiptarë për periudhën 2015-2018, është i drejtuar kryesisht drejt vendeve Europiane, duke pasur si karakteristikë keqpërdorimin e së drejtës së lëvizjes së lirë në Zonën Schengen dhe kërkimin e azilit në këto vende për motive ekonomike.

Megjithatë, raporti thekson, se kjo prirje migratore ka shënuar rënie gjatë periudhës 2015–2018 (nga 67 950 kërkesa për azil në vitin 2015, në 22 455 në vitin 2018).

Kjo, ka ardhur si rrjedhojë e trajtimit me përparësi të kërkesave për punësim në vend, zgjidhjes në kohë të problemeve sociale të shtresave në nevojë të popullsisë, si dhe ndalimit të përkohshëm të daljes nga territori që autoritetet shqiptare të kufirit u kanë bërë shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për lëvizjen e lirë në zonën Schengen (nga 14 232 në 2015, në 20 255 në vitin 2018).

Ndikim ka pasur, gjithashtu, refuzimi në rritje i kërkesave për azil nga vendet pritëse dhe kthimet në Shqipëri për qëndrim të parregullt në vendet e BE-së (2 535 kthime të detyruara për vitin 2015; 2 090 në vitin 2016; 2 265 në vitin 2017 dhe 1 790 në vitin 2018).

Një prirje tjetër që vërehet është ajo e migrimit të të miturve të pashoqëruar, kryesisht drejt vendeve, si: Italia, Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar etj. Sidoqoftë, numri i këtyre të miturve, sidomos atyre që kërkojnë azil në vendet e BE-së, ka ardhur në rënie në periudhën 2015–2018 (nga 1 065 kërkesa për azil në vitin 2015, në 485 në vitin 2018). Pavarësisht kësaj, ky mbetet një fenomen shqetësues.