Harrojini për pak Netflix-in dhe lajmet dhe kujtoni që jeta është ende shumë e bukur. Lumturia qëndron tek gjërat e thjeshta dhe çfarë na e provon më mirë janë historitë në komeditë e vjetra shqiptare.
Mblidhuni të gjithë familjarisht (respektoni distancën) dhe vini një nga filmat/komeditë më poshtë!
1- “Pallati 176”
Pallati më i famshëm në Shqipëri ka qenë dhe do të mbetet ky. Breza të tërë janë dashuruar me Elsën, Fredin, Shokun Perikli dhe Jovan Bregun, personazhi i të cilin është kthyer në krahasimin perfekt për këdo që ndan të njëjtat tipare me të.
2- “Beni ecën vetë” (1975)
Kush u lodh ndonjëherë me historinë e Benit të llastuar vetëm gjatë verës së kaluar në fshat, ia doli të kthehej në djalosh trim e të pavarur?
3- “Zonja nga qyteti/Zonja nga fshati”(1976)
Aq i famshëm është ky film, sa brezat e rinj mendojnë e njohin Violeta Manushin si “Teto Ollga”. “Përpjekjet” e vazhdueshme të teto Ollgës për një “burrë të mirë” për vajzën e saj, Meli u bënë kaq të dashura për shqiptarët sa mjafton të përmendësh titullin për të nisur me batutat pafund.
4- “Shi në plazh”
Çfarë ke bërë nëse nuk ke parë të paktën një herë në jetë komedinë “Shi në plazh”. Kur gjatë pushimeve 15-ditore, moti nis kapriçot dhe shiu s’pushon, do njihesh me familjarët e kabinës ngjitur.
5- Dy herë mat
“Edhe akullore edhe çokollatë”, “specialist i peshkut dhe midhjeve” apo “Cuk, ti do më vdesësh mua” janë batutat hit të kësaj komedie.
6- “Edhe kështu edhe ashtu”
Nëse s’ju kujtohet Alma, që ra në dashuri me këngëtarin në ngjitje, ndërkohë që babai donte ta martonte se s’bën me një diplomat, dëgjoni këtë këngë. Do të mbusheni me optimizëm për fatin e muajve në vazhdim!
7- “8 persona plus”
“Ta rrahh kam frikë se më rreh” , “zemra do bëjë të sajën” e shumëëë batuta të tjera dëgjojmë që njerëzit i përdorin çdo ditë. Frymëzimi? Komedia “8 persona plus” me kastin e famshëm të aktorëve si Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Luftar Paja, Pavlina Mani e shumë të tjerë ka zbukuruar ditët e shqiptarëve për vite me radhë. Përpos humorit, tematika dhe ironia e përdorur janë sot, më aktuale se kurdoherë./Revista Anabel