Pavarësisht shifrave të rënda që erdhën nga Italia këtë të premte me 969 të vdekur, Guvernatori i Lombardisë (rajoni më i prekur) ka folur me nota optimiste në lidhje me ecurinë e përhapjes së COVID-19.
Attilio Fontana pohoi se është e sigurtë që koronavirusi në Lombardi nuk ka treguar shenja rritje në ditët e fundit, madje ai u shpreh se tashmë ka nisur kurba zbritëse.
“Sigurisht linja e të prekurve nuk është më në fazën e rritjes, madje unë mendoj se po nis uljen. Sot kemi bërë më shumë analiza sikurse edhe të enjten. Dhe ndonëse kemi rritur ndjeshëm bërjen e testeve, na rezulton se të prekurit janë ulur në rajonin tonë. Kjo gjë sigurisht që na jep optimizëm, por për të folur me më shumë siguri duhet të presim një raport 5-ditor”, u shpreh Guvernatori i Lombardisë, rajon ku deri tani janë prekur 37 mijë e 300 qytetarë nga të cilët 5402 kanë gjetur vdekjen dhe mbi 8 mijë janë shëruar.
Ajo që ka ndryshuar në Lombardi është fakti që do ti bëhet analiza çdo qytetari që ka qoftë edhe një simptomë të vetme, psh temperaturë mbi 37.5, ethe, dhimbje trupi, kollë të thatë apo probleme me frymëmarrjen.
Maksimumi testeve që mund të bëhen në Lombardi në ditë janë 5-6 mijë dhe Fontana qartësi se ky kapacitet do të shfrytëzohet maksimalisht.
Këtë të premte në Lombardi pati rreth 2500 raste të reja ndërsa u regjistruan 541 viktima, nga 969 që pati Italia në total.