Duke cituar nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se “Kuvendi mund të shpërndahet pas votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka sugjeruar presidentit, Hashim Thaçi, të shpallë zgjedhjet e reja.
Duke vënë theksin te dallimet mes rasteve kur një kryeministër dorëhiqet dhe kur Kuvendi voton mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, Kurti shkruan se më 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme ndaj qeverive, ishin shpallur zgjedhjet e reja.
“Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues”, shkruan Kurti në Facebook.
Tutje, sipas tij, partitë politike “duhet të kthehen edhe njëherë te populli” për të marrë legjitimitetin e nevojshëm.
“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, shkruan Kurti.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota për i mori mandatin të Qeverisë Kurti.