Aktualitet Negativizmi shqiptar/ E bënë infermierin që shkoi në Itali pompist karburanti, publikohet...

Negativizmi shqiptar/ E bënë infermierin që shkoi në Itali pompist karburanti, publikohet licenca

Qazim Kasem Ismaili, do jetë ndjerë keq kur në rrjetet sociale ka filluar sot në mëngjes një fushatë shkrimesh denigruese për emrin e tij, pa e ditur se ku e kanë origjinën. Ismaili, është nisur me grupin e 30 personave (mjekë dhe Infermiere) drejt Italisë, dhe që nga dita e sotme, kanë filluar punën në spitalin e Breshias.

Por, ditën e sotme 56-vjeçari e ka gjetur emrin në media, si një punëtor karburanti në Vorë, dhe jo si infermier i licensuar qe nga viti 1993, siç tregon edhe Urdhri i Infermierit dhe certifikata e tij personale.

Ai vetë do i jetë futur punës në spital, por ministria, nisur nga interesimi i gazetarëve, ka publikuar licencën e tij nga Urdhëri i Infermierit, me detajet specifike dhe të dhënat personale.

“Nuk është e vërtetë çfarë pretendohet. Nuk di pse nis kjo fushatë denigruese kundër atyre që patën kurajon të shkojnë në vijën e parë të sëmundjes”, thonë zyrtarisht nga Ministria.

Reagon Urdhri i Infermierit: Lejet e ushtrimit të profesionit janë të njohura në Itali

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar pas aludimeve në disa media se mes infermierëve të dërguar në Itali ka edhe njerëz që nuk e ushtrojnë këtë profesion.

Në reagim thuhet se të 20 infermierët janë anëtarë aktivë të Urdhrit dhe janë të pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit.

“Urdhri i Infermierit shpreh indinjatën e tij përkundrejtë të gjithë aludimeve që po bëhen për të zbehur kontributin e profesionistëve tonë në shtetin fqinj, Italinë”, thuhet në reagim duke shtuar se lejet e ushtrimit të profesionit të lëshuara nga Urdhri janë plotësisht të njohura nga organet homologe në Itali.

Më herët, disa media e quajtën infermierin Qazim Ismaili, i cili ka shkuar në Itali për të dhënë kontributin e tij, si “pompist të veshur si mjek”.

Por më vonë u bë publike leja e ushtrimit të profesionit të Ismailit si infermier. Përveç se shërbimit në spitalet shqiptare, Ismaili kishte punuar edhe si infermier në Itali disa vite më parë.

Deklarata e plotë:

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë informon opinionin publik se 20 Infermierët të cilët në këto momente po japin kontributin e tyre në luftën kundër Covid – 19 në Spitalin e Brescias në Itali, janë të anëtarë aktivë të Urdhrit dhe të pajisur me Lejen e Ushtrimit të Profesionit të Infermierit.

Urdhri i Infermierit shpreh indinjatën e tij përkundrejtë të gjithë aludimeve që po bëhen për të zbehur kontributin e profesionistëve tonë në shtetin fqinj, Italinë.

Lejet e Ushtrimit të Profesionit të lëshuar nga UISH janë plotësisht të njohura nga organet homologe në Itali.