Bota Nju Jorku në betejën me COVID-19

Nju Jorku në betejën me COVID-19

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo u bëri thirrje të hënën punonjësve të kujdesit shëndetësor nga zona të tjera të shkojnë për të ndihmuar spitalet e mbingarkuara të këtij shteti për të luftuar koronavirusin dhe kërkoi “partneritet” dhe bashkëpunim dypartiak me Presidentin Donald Trump.

Anija spitalore “Comfort” e marinës amerikane mbërriti në portin e Nju Jorkut të hënën, duke u ankoruar në anën perëndimore të Manhattanit për të trajtuar pacientët jo me koronavirus, pasi spitalet e qytetit të Nju Jorkut vazhdojnë të mbingarkohen me njerëz që vuajnë nga COVID-19. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, mirëpriti ndihmën federale.

“Ka 8.6 milion njerëz në qytetin e Nju Jorkut dhe ardhja e anijes spitalore ‘Comfort’ e marinës amerikane është një nga momentet më të fuqishme që kemi parë në disa javë kur bëhet fjalë për t’i dhënë njerëzve shpresë dhe ndjesinë se ndihma po vjen. Është një spital i tërë që lundroi praktikisht drejt qytetit të Nju Jorkut. E kemi të domosdoshme tani të rrisim mundësinë tonë për t’i dhënë kujdes shëndetësor njerëzve në këtë krizë dhe kemi marrë mbështetjen më të mirë që mundet të marrim. Por, përtej ndihmës fizike është efekti psikologjik. Njerëzit janë inkurajohen shumë kur shohin ushtrinë tonë që ka ardhur këtu për të na ndihmuar”, tha zoti de Blasio.

Në qendrën “Javits” në Manhattan, e cila u shndërrua të hënën në vendndodhjen për spitalin masiv në terren, Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo u bëri thirrje punonjësve të kujdesit shëndetësor jashtë shtetit për të ndihmuar spitalet e mbingarkuara të Nju Jorkut të luftojnë koronavirusin.

“Ushtarët në këtë betejë janë profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ata janë njësitë që po luftojnë këtë betejë për ne. Duhet të rekrutojmë më shumë punonjës të kujdesit shëndetësor. Si guvernator i Nju Jorkut u bëj thirrje të gjithë mjekëve dhe infermjerëve në mbarë vendin, nëse nuk keni krizë në komunitetin tuaj, ju lutem të vini të na ndihmoni”, tha guvernatori Cuomo.

Cuomo njoftoi se Nju Jorku, shteti më i goditur në vend pati më shumë se 1200 vdekje të hënën, dhe guvernatori demokrat bëri thirrje për bashkëpunim dypartiak në luftën kundër virusit dhe partneritet me presidentin republikan Donald Trump.

“Unë nuk po e angazhoj presidentin në politikë. Qëllimi im i vetëm është që ta angazhoj presidentin në partneritet. Nuk është koha për politikë … Nëse do të kishte pasur ndonjë moment për unitet, ky, miqtë e mi, është momenti“, tha zoti Cuomo.

Ndërkohë, një spital fushor që po ndërtohet në Parkun Qendror, pritet të fillojë sot të pranojë pacientë.

Në qytetin e Nju Jorkut, banorët dalin në dritare dhe ballkonët e tyre çdo natë në orën 7 pasdite dhe duartrokasin së bashku për të treguar mirënjohjeje për punonjësit e kujdesit shëndetësor të qytetit.

Nju Jorku vazhdon të jetë epiqendra e pandemisë në Shtetet e Bashkuara me 38 mijë të infektuar dhe mbi 900 të vdekur. Shtetet e Bashkuara tani kanë rastet më të larta të infektimit me koronavirus në botë, dhe zyrtarët në Detroit dhe New Orleans – dy nga zonat me rritjen më të shpejtë të COVID 19- presin të kenë më shumë pacientë dhe mungesa furnizimesh në spitalet e tyre./VOA