Këto ditë flitet dhe shkruhet shumë për shenjat paralajmëruese, simptomat dhe rreziqet e koronavirusit. Por çfarë do të thotë të jesh i infektuar me COVID-19?
Disa të prekur tregojnë historitë e tyre, gjendjen mjekësore të përditshme, mendimet dhe vëzhgimet e tyre me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti në këtë pjesë të dytë të një serie ku përshkruhet përvoja e të qenit i infektuar me koronavirus.
‘Po marr ilaçin që e quaj përzierja Trump’
Carlos Gavidia
Mosha: 53 vjeç
Profesioni: Sipërmarrës në pension
Vendbanimi: Jupiter, Florida
Pa probleme shëndetësore kronike
Pas ditëve sëmurë rëndë, Carlos Gavidia e mat kohën ndryshe tani.
“22 orë pa temperaturë, falë zotit”, thotë babai i dy fëmijëve.
Simptoma të tjera të COVID-19 vazhdojnë, por pa temperaturë të lartë dhe ai ndjehet i gjallëruar.
“Ende kam shumë dhimbje mbrapa kokës, një dhimbje therëse. Kam pak dhimbje stomaku. Por po ju them se pa temperaturë, nuk kam më duket më sikur po vdes”, thotë ai.
Gavidia beson se ai, e shoqja, i biri dhe e bija mund ta kenë marrë virusin, gjatë pushimeve për ski në Aspen të Kolorados. Ata kanë ndejur në izolim në shtëpinë e tyre në Jupiter të Floridës. Carlos e kaloi më rëndë se të gjithë të tjerët sëmundjen. Gruaja e tij, Laura gjithë kohës i ka ndërruar çarçafët e larë në djersë dhe është kujdesur që t’i zbusë dhimbjet e migrenës.
Eksperimentime me ilaçet
Shumica e pacientëve e marrin veten vetë nga COVID-19, Gavidia ia njeh meritën një kombinimi ilaçesh për përmirësimin e tij të menjëhershëm, pas dy javësh vuajtjesh: hidroksiklorokinë, një ilaç kundër malarjes dhe lupusit, dhe Azithromicinë, një antibiotik i zakonshëm.
Nuk ishte e lehtë ta gjeje hidroksiklorokinën, pasi pak farmaci e kishin. Gavidia, një ish-ekzekutiv shërbimesh financiare, dërgoi një pilot privat për të marrë disa doza nga një mik i tij në Ohajo që e përdor ilaçin për qëllim tjetër.
“I dërgova një mesazh pilotit tim. Më duhej që të shkonte në Canton të Ohajos që të merrte disa ilaçe. Ai u përgjigj në orën 5:00 dhe në orën 7:00 ishte nisur. Shkoi, e mori dhe ma solli”, tha ai.
Veprimi i guximshëm i Gavidias, i parapriu njoftimit të Agjencisë amerikane të Ushqimit dhe Barnave, që autorizonte hidroksiklorokinën si një kurë në raste urgjente për COVID-19 treatment. Mbi një javë më herët, Presidenti Donald Trump foli për efikasitetin e këtyre ilaçeve, para se çdo agjenci të kishte folur për sigurinë e tyre për pacientët me koronavirus.
Por Gavidia beson se ai që ai e quan me shaka si “kombinimi Trump” mund t’i ketë shpëtuar jetën, ose të paktën ia reduktoi periudhën e vuajtjes.
Pas rënies së temperaturës, ndihmë për të tjerët
Pasi i ra temperatura, Gavidia dërgoi pilotin e tij në Merilend, për t’ia çuar pjesën e mbetur të ilaçeve një miku të vet, i cili gjithashtu kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
Gavidia, që tani po rimëkëmbet, e di që gjaku i tij ka informacion të çmuar që mund të shpëtojë jetën e pacientëve të tjerë me COVID-19.
Në segmentin e ardhshëm, do t’ju njohim me pengesat që po has Gavidia ndërsa përpiqet të dhurojë gjakun e tij që përmban antitrupat e COVID-19.
Zack Armstrong
Mosha: 29 vjeç
Profesioni: Menaxher rekrutues
Vendbanimi: Arlington, Virginia
Pa probleme kronike shëndetësore
Francis Wilson
Mosha: 27 vjeç
Vendbanimi: Arlington, VA
Profesioni: Nëpunëse në firmë ligjore, studente
Pa probleme kronike shëndetësore
‘Jam ende gjallë?’
Zack Armstrong mezi merrte frymë mes kollitjeve. Ishte dita më e keqe që po kalonte që kur ai dhe tre persona të tjerë ishin të izoluar në një apartament, pasi një shok i dhomës ishte çuar me urgjencë në spital dhe ishte diagnostikuar me COVID-19. Por gjendja e tij shpirtërore u përmirësua kur dëgjoi lajmin se pas 10 ditësh në spital, shoku i tij i dhomës Francis Wilson, kishte dalë nga koma dhe pak nga pak nuk do ta përdorte më ventilatorin.
Më pas, duke folur me Zërin e Amerikës nga dhoma e spitalit, Wilson tha se kishte pasur ndjesinë sikur e shihte veten të vdekur. Atë e kishte përfshirë paniku deri kur dëgjoi një zë t’i thoshte se ishte i sigurt në spital. “Dhe unë thashë ‘jam gjallë?'”, tha Wilson.
“Isha i tmerruar, sepse po përpëlitesha dhe doja të paktën një njeri të shihte që isha gjallë. Dhe pastaj dëgjova dikë të më thoshte: ‘Qetësohu. Je në spital.’ Dhe reagimi im ishte: ‘Prit, jam gjallë?'”.
Thirrja e priftit
Simptomat e Wilsonit filluan me kollë dhe më pas u shoqëruan me vështirësi në frymëmarrje, ethe dhe rraskapitje totale. Gjendja e tij u keqësua edhe më shumë, në një spital të Virxhinias ndërsa i mbusheshin mushkëritë me ujë, duke bërë që prindërit të thërrisnin priftin për ritet e fundit.
Ndërsa shuheshin shpresat, Wilson u transferua në një spital në Uashington. Atje ai filloi ta merrte veten pak nga pak. Infermieret i thanë se ai kishte qenë “një nga rastet më të rënda që kishte arritur të mbijetonte.”
“Merreni jashtëzakonisht seriozisht. Mesa duket unë kisha një nga rastet më të rënda. Prandaj dua t’ju them të ruheni. Rrini brenda dhe kujdesuni për veten”, tha ai.
Lojra në shtëpi për të kaluar kohën
Ndërkohë të izoluar në apartament, Armstrong, shoku tjetër i dhomës dhe partneret e tyre, e kanë të vështirë të përballojnë sëmundjen dhe mërzinë. Ju mungojnë gjerat e thjeshta, si për shembull të dalin për të ecur. Tani për tani duhet të mjaftohen me lojrat e improvizuara brenda apartamentit.
Shokët ua lënë ushqimin para derës. Disa e kthejnë në lojë hedhjen e letrës higjenike nga poshtë në ballkonin e katit të katërt.
Që të katërt, pastrojnë me kujdes çdo ditë me klor. Armstrong beson se ata kanë krijuar ”një lidhje të veçantë” gjatë kësaj krize, duke vënë në dukje se karantina për COVID-19 është shumë më rigoroze sesa vendimi që marrin shumica e amerikanëve vullnetarisht që të rrinë në shtëpi.
“Pa dyshim që për ne të katërt si grup është një histori e veçantë, një lidhje të veçantë që ndajmë me njëri-tjetrin që askush tjetër nuk mund ta kuptojë. Shoh plot njerëz që postojnë në media sociale për izolimin e tyre”, thotë ai.
“Por ata mundet të dalin dhe të hedhin plehrat, të dalin për një shëtitje në rrugë. Në mendjen time, ajo nuk është karantinë e vërtetë. Tek ne erdhën persona me uniforma për t’u mbrojtur nga materiale të rrezikshme. Unë nuk dal dot as në korridorin e ndërtesës. Ajo është karantinë e vërtetë”, thotë Armstrong.
Në pjesën e ardhshme, shohim se çfarë bën Zack, ndërsa Francis mëson se çfarë ndodhi kur ishte në koma dhe me çfarë përballet tani.
‘A ndodhin mrekullitë … dhe a duhet të përdoret për mua?’
Connie Lambert
Mosha: 76 vjeç
Profesioni: Pronare restoranti në pension
Vendbanimi: Rrethinat e Çikagos, Ilinois
Sëmundje të kaluara: Kancer në mushkëri, goditje e tensionit të lartë
Connie Lambert nuk po përmirësohet. 76 vjeçarja i kalon ditët duke parë televizor që “të largojë mendjen”.
Simptomat e saj filluan para disa javësh. Vështirësi me frymëmarrjen. Dhimbje kraharori. Rraskapitje. Shenjat po keqësohen dhe ajo po humb shpresën.
“Shtrëngimi në kraharor është keqësuar. Ndjehem në depresion, nuk e ndal dot…Nuk di ç’të bëj. Nuk e di a duhet të vazhdoj të përpiqem”, tha ajo.
Rezultate të munguara testesh
Afro dy javë pasi bëri një test për koronavirusin, banorja e zonës së Çikagos, ende pret rezultatet. Ajo do të dije nëse e kishte infeksionin ngjitës ndërsa kujdesej për stërmbesat e saj.
Ajo thotë se e ka telefonuar mjekun. Ka telefonuar spitalin kur bëri testin, ka telefonuar Bordin e Shëndetësisë së Indianës. Askush nuk i ka rezultatet.
“Po pres për një përgjigje…një zgjidhje, ndoshta pres për një mrekulli, nuk e e di. A është ky momenti kur ndodh mrekullia dhe a do të më ndodhë mua? Nuk e di”, thotë ajo.
‘Fundi i rrugëtimit tim’
Kur Zëri i Amerikës e pyet nëse sistemi e ka braktisur, Lambert ngre duart dhe thotë se sistemi ka dështuar për shumë njerëz. Ajo nuk ka forcë të shkojë për një test tjetër, duke thënë se herën e parë iu desh të priste orë të tëra për t’u testuar.
“Jam në pikën e fundit. Jam në fund dhe nuk di ç’të bëj tani”, thotë ajo.
Në pjesën e ardhshme do të shohim nëse Connie Lambert do të gjejë një vend ku të bëjë një testim ekspres.