Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë shënuar më shumë se 5 mijë viktima.
Epiqendra më e madhe e shpërthimit është shteti i Nju Jorkut, i cili ka raportuar mbi 1300 viktima si pasojë e Covid-19, duke kaluar edhe numrin e vdekjeve që erdhën si pasojë e sulmeve terroriste të Kullave Binjake më 11 shtator të 2001.
Edhe guvernatori Andrew Cuomo është i frikësuar, ai iu përgjigj gjatë një konference shtypi gazetarëve që e pyetën për gjendjen e të vëllait të tij, Chris që doli pozitiv me koronavirus.
“Kur ai më tha se ishte infektuar me koronavirus, unë u frikësova shumë. Jam i tmerruar. Po flasim për vëllain tim të vogël, pasi ai është edhe shoku im më i mirë dhe flas me të disa herë në ditë. E kam kaluar pothuajse tërë jetën me të. Jam i shqetësuar, pasi nuk mund të bëj asgjë për të”, tha ai.
Sipas tij, as mjekët nuk mund t’i thonë asgjë dhe kjo është një situatë e ngjashme për të gjithë.
“Prandaj unë kam frikë për vëllanë tim, ashtu si të gjithë të tjerët që shqetësohen për anëtarët e tyre të familjes”, tha guvernatori.
Chris Cuomo aktualisht është vetizoluar në shtëpinë e tij në Nju Jork.
Andrew Cuomo është me origjinë italiane, gjyshërit e tij nga babai ishin nga Salerno, ndërsa gjyshërit nga nëna ishin nga Siçilia. Ai është djali i Mario Cuomo, guvernatorit të 52-të të shtetit të Nju Jorkut dhe ish-bashkëshorti i vajzës së Bob Kennedyt, Kerry, me të cilën ka tre vajza.