Politika Basha nxjerr videon: Çnjerëzore lënia e shqiptarëve në kufirin me Greqinë

Basha nxjerr videon: Çnjerëzore lënia e shqiptarëve në kufirin me Greqinë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka quajtur të pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra shqiptarë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Bëhet fjalë për rreth 60 persona që nuk po lejohen të hyjnë në vendin tonë për shkak se nuk kanë marrë leje dhe kufiri është i mbyllur. Ata po kalojnë netët në të ftohtë dhe orët e fundit kanë bllokuar rrugën për kalimin e kamionëve, por qeveria nuk po i lejon të hyjnë.

Sipas Bashës, një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë.

“I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit.

Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale” – thotë Basha.