Ndeshje me dyer të mbyllura. Në stadium do të lejohet hyrja e vetëm 239 personave të përzgjedhur. Kjo është hipoteza e fundit e rinisjes së kampionatit në Gjermani, sipas “Bild”.
E përditshmja gjermane bën me dije se DFL, Liga e Futbollit Gjerman, ka një plan konkret për rifillimin e kampionatit pas emergjencës së koronavirusit. Në fushë do të lejohen 126 persona, të cilët janë futbollistë, trajnerë, mjekë, përfaqësues televizionesh dhe mbledhësit e topave. Këta të fundit janë reduktuar në 4 nga 12 që kanë qenë zakonisht. Kurse në tribunë do të jenë 113 persona, gazetarë dhe punonjës të sigurisë, edhe ata të reduktuar në 8 drejtues për çdo skuadër.
Hyrja në stadium është e ndaluar për “VIP”-at e skuadrës mike dhe për punonjësit që nuk mund të ushtrojnë detyrën në këtë situatë. Jashtë stadiumit do të jenë të angazhuar rreth 50 punonjës, të cilët do të vënë rregull në ambientet përreth. Në të vetmen ndeshje të luajtur me dyer të mbyllura më 11 mars, Borusia Mënshengladbah-Këln, u autorizuan të hynin në stadium 600 persona, një numër që Liga e konsideron të lartë.
Bundesliga është pezulluar të paktën deri më 30 prill dhe qëllimi i Ligës së Futbollit Gjerman është që kampionati të rifillojë në ditët e para të marsit. Ky është plani i fundit, por gjithçka varet nga situata me koronavirusin.