Operatori i dytë më i madh në Shqipëri në fushën e shërbimeve celulare, “Telekom Albania”, i është shitur për 50 milionë Euro kompanisë bullgare “Albania Telecom Invest AD”.
Njoftimin e ka bërë përmes një deklarate zyrtare grupi “OTE”, që është pronari i kompanisë Telekom në Shqipëri dhe që kontrollohet nga grupi gjerman “Deutche Telekom”.
“Shitja e Telekom Albania mbyll me sukses investimin në Shqipëri të grupit OTE. Është një vendim strategjik në kontekstin e ripërcaktimit të prioriteteve dhe planit të rritjes për grupin tonë, në mënyrë që të krijojmë vlerë për të gjithë aksionerët dhe të mbështetim zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OTE, Michael Tsamaz.
100% e paketës së Telekom në Shqipëri tashmë do të kontrollohet nga manjati bullgar, Spas Rusev, i cili është edhe pronar mazhoritar dhe Elvin Guri, një biznesmen shqiptaro-bullgar në fushën e shërbimeve financiare.
Rusev ndërkohë ka një eksperiencë më të madhe në fushën e telekomunikacionit, pasi zotëron një ndër operatorët më të mëdhenj të këtij tregu në Bullgari, kompaninë “Vivacom”. Menjëherë pas dhënies së miratimit të autoriteteve në Shqipëri, kompania e re do të nisë punën, jo më larg se në muajin Qershor të këtij viti.
Kjo ishte oferta e dytë financiare më e madhe për këtë kompani, pas asaj që dha “Telekom Serbia”, por që autoritetet shtetërore në Shqipëri shprehën rezerva, nëse do të bëhej një marrëveshje për shitjen e një sektori strategjik pranë kësaj firme.
“Telekom Albania” ka 39% të tregut të telekomunikacionit në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes “Vodafone” dhe “Albtelekom”.