Sipas një studimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe “Oxfam International”, gjysmë miliardë persona në të gjithë botën do të shkojnë drejt varfërisë, si pasojë e krizës së koronavirusit, në rast se shtetet në zhvillim nuk marrin ndihmë urgjente.
Shifra përfaqëson 8 përqind të të gjithë popullatës së botës, shkruhet në raport, duke shtuar se kjo do të ishte hera e parë në 30 vjet që varfëria botërore do të pësonte rritje.
Përpjekjet për të luftuar varfërinë do të ktheheshin një dekadë, pas dhe në disa rajone – si Nën-Saharaja, Afrika e Veriut, dhe Lindja e Mesme – kjo do të ndihej tre herë më shumë.
Analizat, të kryera nga hulumtues të Universitetit “Kings” në Londër dhe të Universitetit Ndërkombëtar të Australisë, kanë nxitur thirrje të menjëhershme për disa përpjekje të mëdha ndaj vendeve më të varfra.
“Mbroni jetesën dhe jetën”
“Oxfam International” i bën thirrje të gjithë liderëve botërore “të bien dakord mbi një paketë ekonomike shpëtimi për të gjithë” në mënyrë që të ndihmohen vendet dhe komunitetet e varfëra.
“Nevoja e momentit është të bashkojmë agjencitë e zhvillimit, qeveritë kombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat në një përpjekje botërore për të mbrojtur jetesën dhe jetën e vendeve më të varfëra në Jugun Botëror”, tha Kunal Sen, drejtues i Institutit Botëror për Zhvillimin e Hulumtimeve Eknomike të Universitetit të Kombeve të Bashkuara, i cili publikoi këtë studim.
Apelet vijnë përpara një ndër takimeve kyçe të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe ministrave të financës të G20, që do të zhvillohet javën e ardhshme.
Ndërkohë javën e shkuar, IMF tha se po synonte të dyfishonte disponueshmërinë e fondeve të urgjencës ndaj tregjeve dhe vendeve në zhvillim, përkatësisht nga 50 miliardë dollarë ne 100 miliardë.