Pjesa më e madhe e Europës është në izolim dhe njerëzit po jetojmë sipas masave të rrepta që qeveritë kanë ndërmarrë. Por Suedia nuk bën pjesë tek kjo listë. Restorantet, baret, parqet dhe shkollat vazhdojnë të jenë të hapura dhe vendi bazohet vetëm në veprimet vullnetare të qytetarëve për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Ky vendim ka tërhequr edhe vëmendjen e presidentit Trump i cili në një nga deklaratat e tij tha se Suedia do të vuajë shumë keq, duke qenë se po e lë vendin të fitojë “imunitet në tufë”.
Nga ana tjetër, qeveria suedeze është e sigurt dhe beson se kjo politikë do të funksionojë, duke e quajtur të gabuar teorinë e Trump-it. Strategjia që Suedia po përdor është: Jo izolim, por vetëm varësi nga përgjegjshmëria e njerëzve. Vendi ia ka lënë në dorë vetëm qytetarëve të saj, tek të cilët beson se do të tregohen plotësisht të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm ndaj situatës.
Deri më tani kjo strategji ka rezultuar e efektshme dhe mjekësia suedeze po e përballon mjaftueshëm mirë pandeminë. Për disa, veprimet e Suedisë janë inkurajuese dhe të rekomandueshme. Dy ditë pasi Spanja shpalli shtet-rrethimin, autoritetet suedeze inkurajuan njerëzit të lajnë shpesh duart dhe të qëndrojnë nëpër shtëpia nëse s’ndihen mirë. Më 24 mars, rregullat e reja nënkuptonin shmangien e grumbullimeve në parqe a restorante.
Fokusi i suedezëve janë të moshuarit. Atyre mbi 70-vjeç i është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të praktikojnë sa më shumë distancën sociale. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetit është skeptike mbi strategjinë suedeze.
Deri më tani Suedia ka 9,141 raste të konfirmuara dhe 793 të vdekur. Nëse strategjia e ndjekur do të funksionojë apo jo, kjo do të shihet muajin e ardhshëm, raporton CNN.