Bota As miliarderët britanikë nuk e thyejnë dot karantinën. Policia franceze i kthen...

As miliarderët britanikë nuk e thyejnë dot karantinën. Policia franceze i kthen pas

Policia franceze nuk lejoi një grup miliarderësh të uleshin me avionin e tyre privat në jug të Francës, të cilët kishin si qëllim të shkonin në një vilë luksoze për të kaluar disa ditë gjatë karantinës së vendosur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Dhjetëra forca policie kishin dalë në pistën e Provence në Marseille për të ndaluar biznesmenët britanikë të zbrisnin nga xheti privat, në një kohë kur të gjitha fluturimet janë pothuajse të palejuara për shkak të pandemisë.

Biznesmenët dhe 3 vajza të reja që i shoqëronin, pasi të uleshin në aeroport, kishin planifikuar të shkonin me helikopter në një vilë luksoze 70 milionë euroshe ku do të qëndronin gjatë karantinës.

Por policia nuk i lejoi ata të zbrisnin nga avioni dhe pas një qëndrimi 3 orësh në pistë, i detyroi të ktheheshin në Britaninë e Madhe.

Një nga personat që ndodheshin në avion tha për Mail Online se nuk kishin shkuar në Francë për pushime, por ishin thjesht 3 biznesmenë që po përpiqeshin të arrinin një marrëveshje që do të krijonte 900 vende të reja pune. Ai shpjegon se personat e tjerë në avion ishin badigardë, sekretare dhe përkthyes.

Por policia franceze thotë të kundërtën. Ajo deklaron se burrat në avion ishin të moshës 40-50 vjeç, ndërsa i përshkruan vajzat si eskorta në një moshë shumë të re.

Pas kësaj pilotët e avionit u gjobitën nga policia për shkelje të rregullave të vendosura nga qeveria franceze për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.