Përhapja e pandemisë në Tiranë dhe Shkodër ku çdo ditë po zbulohen raste të reja sipas shefes së epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini lidhet me mosrespektimin e rregullave të karantinës dhe distancimit social.
“Gjurmimi i kontakteve të brezit të parë dhe të dytë ka bërë që numrit jetë më i lartë në këto dy qytete. Por ndërkohë, paralelisht me ketë po ecim dhe me ndërprerjen e vetëkarantinimit dhe mosrespektim deri diku të masave për distancimin sociale dhe indirekt kjo çon rritjen e pozitivitetin e rasteve duke bërë që zinxhiri të pasohet në vijimësi”.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Tv Klan, Tomini thotë se rritja e numrit të personave të intubuar në dy spitalet Covid lidhet me problemet shëndetësore që kanë pacientët përvec infektimit nga Covid-19. Deri tani asnjë pacient që ka kaluar në intubim nuk është rikuperuar.
“Sigurisht është e vështirë që pacientët e intubuar të kalojnë në të gjithë procesin dhe të kalojnë atë krizën multiorganore për tu rikuperuar, megjithatë puna e mjekëve të Infektivit dhe Pneumonologjisë është duke bërë maksimalisht për shpëtimin e jetëve të pacientëve”.
Duke u ndalur tek mbledhja e komitetit të ekspertëve, Tomini tha se situata në vendin tonë pritet që të ketë një ulje të mëtejshme të numrit të të infektuarve në javët në vijim, por gjithnjë sipas saj nëse qytetarët do të respektojnë rregullat e përcaktuara për frenimin e koronavirusit.