Kryeministri britanik Boris Johnson ka falënderuar stafin në një spital në Londër për kujdesin ndaj tij ndërsa u shërua nga COVID-19, sëmundja e frymëmarrjes e shkaktuar nga koronavirusi.
“Unë kurrë nuk mund t’i falënderoj aq sa duhet. Unë u kam borxh jetën time”, tha Johnson në një deklaratë të shkurtër dje në mbrëmje vonë.
Politikani konservator 55-vjeçar, i cili u shtrua në spital të dielën e kaluar pasi kishte ethe, kaloi tri ditë në njësinë e kujdesit intensiv pasi shëndeti i tij u përkeqësua.
Ai u transferua përsëri në një repart normal të enjten.
Koha kur kryeministri do të jetë në gjendje të kthehet në punë mbetet e paqartë.
Sipas Shoqatës Britanike të Shtypit, Johnson ka një kompjuter tablet për të parë filma të tillë si “Lordi i Unazave” dhe i pëlqen të luajë sudoku.
Ai ka marrë mijëra letra nga dashamirësit dhe letra të përditshme nga e fejuara, Carrie Symonds.