Nga Tae Hoon Kim, The Guardian
Koreja e Jugut është një nga vendet e pakta që ka arritur të rrafshojë kurbën e koronavirusit. Politika e saj e testimit, gjurmimit dhe trajtimit pa izolim është vlerësuar gjerësisht. Disa ia atribuojnë këtë përvojës së Koresë së Jugut të trajtimit të epidemive të mëparshme si Sars dhe Mers. Komentuesit në SHBA priren të theksojnë udhëheqjen e vendit, duke e kundërvendosur atë pranë qeverisjes së Donald Trump. Të tjerë flasin për faktorët kulturorë, siç është gatishmëria e publikut për të sakrifikuar privatësinë për një të mirë më të madhe.
Sidoqoftë, ajo që shpesh anashkalohet është se në rrënjët e suksesit të Koresë së Jugut kundër Covid-19 qwndron një sistem i mirë-financuar dhe efikas për ofrimin e shërbimeve publike. Pa këtë infrastrukturë fillestare, politika e testeve, gjurmimeve dhe trajtimit nuk mund të ishte e qëndrueshme ose e zgjeruar në atë shkallë që ajo ka. Në të njëjtën mënyrë, menaxhimi efektiv i situatës nuk mund të arrijë shumë nëse i mungon një sistem shërbimi publik i ndërtuar mirë që mund ta ofrojë.
Marrim shembull aeroportin më të madh ndërkombëtar të Koresë së Jugut, Incheon. Si një aeroport i menaxhuar publikisht, ai renditet vazhdimisht ndër më të mirët në botë. Po kështu, sistemi metro Seul është i njohur në botë për tarifat dhe efikasitetin e tij të lirë, duke e bërë atë një nga pesë sistemet më të mira nëntokësore. Deri më tani, aspekti më mbresëlënës është sistemi i kujdesit shëndetësor të Koresë së Jugut, i cili u rendit i pari midis vendeve të OECD në vitin 2015. Megjithëse spitalet në Kore kryesisht janë me veprimtari private, 97% e popullsisë Koreane është e mbuluar nga skema e detyrueshme kombëtare e sigurimit shëndetësor. Ky ekuilibër midis spitaleve të privatizuar dhe sistemit të sigurimeve publike ka siguruar qasje universale dhe burime të bollshme, duke dëshmuar efektivitetin e tij në krizën e koronavirusit.
Si e arriti Koreja e Jugut këtë? Për dallim nga në Evropën perëndimore pas luftës së dytë botërore, vendosja e një sistemi të mirëqenies nuk ishte përparësia e diktaturave që sunduan vendin. Si shumë vende në zhvillim në Azi, theksi ishte tek industrializimi dhe rritja ekonomike. Në të njëjtën kohë, diktatura investoi shumë në infrastrukturën publike, duke e parë atë si të domosdoshme për industritë në rritje të Koresë. Në vitin 1977, u prezantua sistemi i parë kombëtar i sigurimit shëndetësor të vendit, megjithëse kjo nuk ishte asgjë si kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës i ditës së sotme.
Rivendosja e demokracisë në 1987 nuk e ndryshoi këtë model ekonomik të udhëhequr nga shteti dhe menaxhimin e infrastrukturës. Ajo që ndryshoi, sidoqoftë, ishte qëndrimi i njerëzve. Rrëzimi i diktaturës ushtarake në 1987 ishte rezultat i një serie protestash mbarëkombëtare. Përgjatë viteve 1990 dhe 2000, Koreja e Jugut pati protesta të shumta masive civile kundër një gamë të gjerë çështjesh, nga importi i viçit amerikan deri në keqmenaxhimin e qeverisë së një aksidenti trageti në vitin 2014. Kulmi i këtij mobilizimi masiv ishin demonstrimet kundër presidentes Park Geun-hye. Protestat vazhduan nga tetori 2016 deri në mars 2017. Më 3 dhjetor 2016, përafërsisht 2.3 milion njerëz dolën në rrugë, gati 4% e tërë popullsisë. Këto më pas çuan në gjykimin dhe burgosjen e Park.
Politika koreane që nga vitet 1990 kështu mund të karakterizohet si një periudhë gjatë së cilës qytetarët i forcuan gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet e tyre me shtetin, duke detyruar qeveritë të marrin mirëqenien e popullit seriozisht. Një fushë që kjo ka qenë më e dukshme është në transportin publik, energjinë dhe kujdesin shëndetësor. Për personin mesatar, këto janë shërbime të përditshme që të gjithë qytetarët kanë të drejtë të gëzojnë, dhe të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve. Për ta thënë atë në terma më të dobishëm, ata janë barometrat më të prekshëm me të cilët mund të gjykojnë angazhimin e qeverisë për qytetarët e saj. Mosarritja e cilësive të tyre dhe menaxhimi i tyre si duhet pothuajse gjithmonë çon në humbjen e votave për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo ndjeshmëri ndaj shërbimeve publike dhe përgjegjshmëria e popullit për të qenë llogari-kërkues ndaj qeverisë ka qenë nxitja për përmirësimin e shërbimeve publike të Koresë së Jugut për 20 vitet e fundit.
Është ironike se për shumë vite, koreanët besonin se të kesh shërbime publike të klasit botëror ishte ekuivalente me të bëhesh më demokratik dhe kështu më perëndimor. Shumë nuk ishin të vetëdijshëm për privatizimin e gjerë dhe dhënien e shërbimeve publike me koncesion që po ndodhnin në perëndim në të njëjtën kohë. Kriza e koronavirusit duke e zhytur Evropën në kaos e ka shkatërruar këtë imazh të idealizuar. Sa i përket Koreanëve, kjo ka qenë justifikim i një “modeli korean” të supozuar për të cilin kanë luftuar për shumë vite. Nuk ka gjasa që ky sistem të rrëzohet pas këtij suksesi.