Gazetari Artan Hoxha shkruan se qindra shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në Kolumbi, Meksikë dhe Ekuador.
Ai ngre pyetjen se çfarë duan kaq shumë shqiptarë në këto vende që konsiderohen si të varfëra, por të njohura për trafikun e drogës.
“Kemi mësuar së fundmi që qindra bashkëpatriotë kanë mbetur të bllokuar në Kolumbi, Ekuador, apo Meksikë!
Sigurisht nuk flas për ata që janë të arrestuar apo dënuar për trafik kokaine në burgjet e Amerikes Latine, por për një grup tjetër që vërtetë duan të kthehen në atdhe, por nuk kanë asnjë mundësi ta kalojnë Oqeanin Atlantik.
Një i njohur i imi, që jeton prej disa vitesh në qytet-portin më të madh te Ekuadorit, në Guajakil, ndërsa po komunikoja pak orë më parë në lidhje me shqiptarët e bllokuar në qytetin e tij, ku koronavirusi po bën namin, me bëri një pyetje: A mund të më thuash çfarë kërkojnë kaq shumë shqiptarë në Guajakil, në anën tjetër të botës dhe në një vend të varfër, më pak rend e siguri për jetën”, shkruan Hoxha.