Aktualitet Mjekët në vijën e zjarrit/ Arjan Harxhi: Kemi nevojë për mbështetje, duhet...

Mjekët në vijën e zjarrit/ Arjan Harxhi: Kemi nevojë për mbështetje, duhet të mendojmë për të ardhmen

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi thotë se situata e pandemisë e ka bërë shoqërinë shqiptare më empatike ndaj bluzave të bardha. Por në intervistën me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë”, Harxhi sërish kërkoi më shumë mbështetje për shëndetësinë, veçanërisht për të ardhmen.

“Unë do thoja që ne kemi nevojë për mbështetje, për empati në radhë të parë. Por nga ana tjetër, në perspektivë pasi ta kalojmë edhe këtë situatë do të duhet që e gjithë shoqëria, të gjithë strukturat qoftë shtetërore apo edhe ato jo shtetërore të mendojnë më shumë për të ndërtuar infrastrukturë dhe super strukturë që të jenë në gjendje të përballojnë beteja të tjera të ardhshme. Njerëzimi gjithmonë do të përballet me sëmundje emergjente dhe riemergjente infektive”, tha Harxhi.

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi thotë se personeli mjekësor i ka të gjitha pajisjet mbrojtëse për ti bërë ballë virusit të rrezikshëm.

“Fatmirësisht pajisjet e mbrojtjes personale, një set i tërë, këto pajisje janë të pranishme qoftë në sasi dhe në cilësi. Kjo ka sjell siguri në punën e personelit. Në shërbimin tonë pajisjet janë të pranishme”, theksoi Harxhi në “Përballë”.