Bota “Profecia” e Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet e...

“Profecia” e Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet e sotme do të na ndryshojnë jetën

“Furtuna e koronavirusit do të kalojë, por zgjedhjet që bëjmë këto ditë mund të na ndryshojnë jetët tona për shumë kohë”. Kjo është profecia e Yuval Noah Hararit, historianit izraelit 44-vjeçar, autor i tre best seller-ave ndërkombëtarë: “Homo Deus: Një histori e shkurtër e njerëzimit”, “Një histori e shkurtër e të ardhmes” dhe “21 mësime për shekullin XXI”. Kohët e fundit, Harari është bërë një prej intelektualëve më të ndjekur të planetit.

Sfida që paraqet Covid19, pohon sot Harari, duhet ta shtyjë njerëzimin që “të mbyllë kufijtë mes virusit dhe njeriut”, por jo mes shteteve. Duhet ta shtyjë që të zgjedhë solidaritetin global dhe jo nacionalizmin izolacionist. Duhet ta shtyjë të dëgjojë udhëheqës që duan të bashkojnë popujt e tyre, dhe jo t’i përçajnë ata. “Shkurt, duhet të hapemi dhe jo të mbyllemi në vetvete, të emancipojmë qytetarët në vend se të forcojmë kontrollin totalitar”. Harari ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica, përmes telefonit nga shtëpia e tij në Tel Aviv, ku jeton në një moshav, komunitet bujqësor hebraik i ngjashëm me kibbutz-ët, aty ku praktikon veganizmin dhe meditimin.

Kjo pandemi është kriza më e madhe globale e brezit tonë, apo jo profesor?

Padyshim që po. Ka përfshirë tashmë të gjithë botën dhe do të ketë pasoja të thella, si nga pikëpamja shëndetësore, ashtu edhe ajo ekonomike. Furtuna e virusit në një moment të caktuar do të kalojë, por zgjedhjet që ne bëjmë gjatë këtyre ditëve për ta përballuar atë, mund të ndryshojnë jetët tona për shumë kohë.

A është kjo një sfidë më e madhe, se sa ajo e krizës së rëndë financiare të vitit 2008, apo se sa kriza e ndryshimeve klimatike?

Është më e madhe se sa kolapsi financiar, sepse kjo nuk është një krizë vetëm ekonomike, por mund të ndryshojë çdo aspekt të jetës sonë shoqërore. Nuk është më e madhe se sa kriza e ndryshimeve klimatike, për shkak se ne i kemi instrumentet për ta zgjidhur pozitivisht, dhe relativisht më shpejt, krahasuar me dëmet që shkakton ndotja. Por nëse ne bëjmë zgjedhjet e gabuara, edhe kriza e koronavirusit do të ketë pasoja të rënda që do të zgjasin në kohë.

Yuval Noah Harari

Çfarë zgjedhjesh? Për të perifrazuar titullin e librit tuaj të fundit, e përmban koronavirusi një mësim për shekullin e njëzetenjëtë?

Jo një, po dy mësime: mes nacionalizmit izolacionist dhe solidaritetit global; dhe mes kontrollit totalitar dhe emancipimit të qytetarëve. Marrim të parin: secili shtet mund të përpiqet ta përballojë pandeminë në mënyrë individuale, ose mund të bëhet pjesë e një plani global veprimi. I dyti është zgjedhja mes tundimit totalitar për të kontrolluar çdo infeksion nga lart, me shtetin që zbaton padallim çfarëdolloj mase, ose mund t’u japësh më shumë zë dhe përgjegjësi qytetarëve. Do të thotë të pranosh që vetëm një shoqëri me një nivel të lartë arsimimi dhe ndërgjegjësimi dhe një sens të fortë qytetar, mund të kuptojë se çfarë është e nevojshme për të mposhtur virusin. Natyrisht, unë uroj që të zgjidhet opsioni i dytë në të dyja rastet, përndryshe do të kemi një botë të mbyllur në vetvete, më pak të sigurtë dhe më pak demokratike.

A nuk do të shpjerë pandemia drejt fundit të globalizimit?

Për mua duhet të shpjerë drejt një globalizimi më të mirë. Mbyllja është reagimi i gabuar. Pandemitë ekzistonin edhe në një botë të mbyllur si ajo e Mesjetës, kur Vdekja e Zezë vrau një të tretën e popullsisë së Tokës. Duhet të kthehemi në epokën e gurit, kur njerëzit jetonin në komunitete shumë të vogla pa kontakte mes tyre, për të gjetur një model shoqërie të mbyllur që mund t’i shpëtojë epidemive. Sot, vetëm bashkëpunimi, solidariteti dhe një përpjekje e përbashkët nga të gjithë mund ta zgjidhë problemin dhe ta shtyjë qytetërimin tonë të hedhë një hap përpara. Duhet të mbyllim kufijtë mes virusit dhe njeriut, jo kufijtë mes njerëzve, apo mes kombeve e shteteve.

E megjithatë “globalizimi” është një term që shumëkush në Perëndim vazhdon ta konsiderojë si negativ.

Globalizimi nuk mund të gjykohet në mënyrë bardhë e zi. Edhe ushqimi italian është një produkt i globalizimit. Kështu ka qenë gjithmonë: ishin konkuistadorët spanjollë që sollën në Itali domatet, nga Amerika Latine. Nëse dikush është kundër globalizimit, do të duhej të mos imagjinonte më spageti me domate.

Ju keni shkruar se në këtë vit 2020, me kriza të paprecedenta mungon një udhëheqje globale. Në të kaluarën, gjatë dy luftërave botërore dhe përgjatë të gjithë Nëntëqindës, ka qenë Amerika që e ka ofruar këtë lidership. A mund ta ofrojë sërish, nëse Biden mund Trumpin, apo do u takojë të tjerëve?

Për momentin, Amrika as nuk po përpiqet të ofrojë një lidrship global. Përveç faktit që Trumpi në fillim e injoroi virusin si një kërcënim serioz dhe më pas vonoi në ndërhyrje, edhe tani vazhdon që të thotë “Amerika e para!”. Dhe po arrin atë që deshte, Amerika është e para për nga numri i të infektuarve dhe viktimave. Por edhe nëse në nëntor Trumpi do të humbte dhe në Shtëpinë e Bardhë do të vinte Bideni, gërryerja e besimit tek Amerika gjatë katër viteve të fundit ka qenë kaq e thellë, saqë rikthimi i këtij besimi nuk do të jetë as i thjeshtë dhe as i shpejtë. Për të patur një udhëheqje globale, bota nuk mund të presë çdo katër vjet për të parë se kush është president i Shteteve të Bashkuara: duhet të mbështetet më shumë tek vende të tjera, dhe mbi të gjitha tek institucionet ndërkombëtare, tek shumëpalësia, nga OKB tek Bashkimi Evropian, nga G20 tek Organizata Botërore e Shëndetit. Shpresoj që kriza e koronavirusit të shërbejë edhe për këtë, për të nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit global.

Çfarë mendoni për mënyrën si po e përballon Italia epideminë?

Kam parë shumë sinjale inkurajuese, të frymës komunitare, të bashkëpunimit. Dallohen edhe në Itali, ashtu sikurse gjetkë, edhe të tjera fenomene: nxitje të urrejtjes ndaj të huajve, përpjekje për të ndarë jo vetëm shtetin nga shteti, por edhe qytetarë brenda të njëjtit shtet. Kush mendon ndryshe nga ti nuk shihet më si një kundërshtar legjitim, por si tradhëtar i atdheut. Në kohëra pak a shumë normale, është e mundur të qeverisësh mee 51% të votave, të vësh gjysmën plus një kundër gjysmës minus një. Por në një krizë si kjo pandemi, përpjekja për ta bërë këtë do të rezultonte në katastrofë. Ja pra mësimi tjetër që mund të nxjerrim nga koronavirusi: nevoja për një udhëheqje që të bashkojë shoqëritë tona, në vend se t’i ndajë, siç përpiqen të bëjnë populistët dhe nacionalistët.

Po ju ku ndiheni më mirë, si në shtëpi? Në moshavin tuaj? Në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit? Në plazhin kozmopolit të Tel Avivit?

Jetoj në një moshav, një komunitet bujqësor, më pëlqen se është qetësi, por njëkohësisht pranë një qyteti shumë të gjallërishëm dhe kozmopolit, siç me të drejtë e quajtët ju Tel Avivin. Shkoj në Jeruzalem sepse jap mësime historie në Universitetin Hebraik, por Qyteti i Shenjtë është një vend plot me tensione, ku shumë njerëz urrejnë të tjerët. Ndjehet në ajër. Nuk do të jetoja dot atje.

Situata politike në Izrael nuk është aspak e qetë

Jemi në një stinë kaosi, të cilës koronavirusi i shtoi tundimin për të instrumentalizuar pandeminë për të zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme, masa speciale. Eshtë një risk që e ndeshin edhe vende të tjerë: ngjitja e regjimeve antidemokratike me pretekstin e luftimit të Covid19.

Dhe meqë e keni disiplinë të përditshme, a na rekomandoni ne të tjerëve meditimin, duke qenë se jemi të mbyllur në shtëpi këto kohë?

Unë e praktikoj dy orë në ditë edhe në kohë normale, por ndihmon për të patur një ekuilibër. Meditimi, në fund të fundit të ndihmon të njohësh veten tënde, ankthet e tua, frikërat, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë gjithësesi, por t’i mëson të jetosh me to dhe t’i kontrollosh. Dhe në një moment krize të madhe si kjo, kemi shumë nevojë për ekuilibër dhe dije. /  Marrë nga La Repubblica – Në shqip nga bota.al