Extra Vetizolimi: Tetë kafshët që e kanë kthyer në mjeshtëri distancimin social

Vetizolimi: Tetë kafshët që e kanë kthyer në mjeshtëri distancimin social

Secili prej nesh ka të paktën një formë ndërveprimi me dikë tjetër gjatë ditës. Si natyrë, njerëzit janë qenie të shoqërueshme, të cilëve u pëlqen të rrinë bashkë, në punë, shtëpi, apo ambiente publike.

Kriza e koronavirusit i ka detyruar njerëzit që të kalojnë kohë vetëm, më shumë se kurrë ndonjëherë, duke i lidhur edhe më shumë pas botës së komunikimit digjital. Por, për shumë specie në botën e kafshëve, vetizolimi nuk është një koncept i ri. Është pjesë e instinktit të tyre.

Gjitarë të tokës e detrave, e shumë specie të tjera, zgjedhin të jetojnë në vetmi përveç se në dy raste: për të ngrënë dhe për t’u shumuar. Fondi Mbarëbotëror për Natyrën – “World Wide Fund for Nature” (WWF) ka botuar një listë me kafshë të ndryshme, sjellja shoqërore e të cilëve i ka bërë ekspertë të vetizolimit.

Breshkat detare

Jetojnë në oqeane prej 100 milionë vitesh. Ndonjëherë lundrojnë për qindra-mijëra kilometra, të vetme. Takohen me breshkat e tjera, vetëm për shumim.

Balenat blu

Gjitari më i madh në planet, vetëm në raste të veçanta noton në grupe të vogla, pasi pjesën më të madhe të jetës e kalon vetëm, ose në çift. Gjigantët e vetmuar e thërrasin njëri-tjetrin për çiftim nga disa kilometra larg, duke përdorur disa klithma që arrijnë deri në 188 decibel.

Leopardi i borës

Një grabitqar profesionist, leopardi i borës gjuan vetëm në agim dhe muzg. Të gjithë jetën e kalojnë vetëm, në një “shtëpi” që përfshin një sipërfaqe prej disa qindrash kilometrash katrorë. Disa leopardë bashkë mund t’i shohësh vetëm në periudhën e çiftimit dhe kur nëna kujdeset për të vegjlit.

Ariu polar

Mishngrënësi më i madh që jeton në tokë i kalon ditët e veta duke notuar dhe ecur mbi akull dhe është tepër antisocial, përveç pranverës, periudhës së çiftimit.

Jaguari

Gjatë periudhës së shumimit, një çift jaguarësh mund të çiftohen deri në 100 herë brenda një dite, por më pas, secili bën jetën e vet. Një gjuetar i përkryer, jaguari “punon” i vetëm në kërkim të ushqimit.

Orangutangu

Të vegjlit qëndrojnë më nënën deri sa mbushin 7 vjeç, për t’u ndarë e ndoshta për të mos u parë kurrë më. Të rriturit takohen shumë rrallë, edhe më të rralla janë pamjet e një grupi orangutangësh duke ngrënë së bashku.

Panda

Një kafshë e vetmuar dhe tepër paqësore. Shqisën e ndijimit e përdorin po aq mirë për të gjetur një partner, sa edhe për të shmangur ata me të cilët nuk dëshiron të qëndrojë pranë.

Ornitoringu

Një specie e turpshme, i kalon ditët duke ngrënë e duke u fshehur buzë lumenjve. Edhe pse ndan territorin me të tjerë, ky gjitar i veçantë, që bën vezë, qëndron larg të ngjashmëve