Frenimet dhe kufizimet e vendosura për të ndaluar përhapjen e COVID-19 kanë bërë që bandat e krimit në Ballkanin Perëndimor të gjejnë mënyra të reja për trafikimin e drogës dhe mallrat ndërkohë që autoritetet janë “sy e veshë” nga pandemia.
Një raport i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Beograd zbulon sesi kanë përfituar bandat e krimit të organizuar nga kriza shëndetësore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.
Raporti bazohet në të dhënat e marra nga gjashtë javët e para të shpërthimit të epidemisë, duke filluar nga 26 shkurti.
“Në rrethana të tilla, lufta kundër krimit nuk është përparësi. Gjatë dhjetë ditëve të para të krizës, pothuajse nuk flitej për luftimin e krimit; ajo që u fol për shumicën ishte njerëz që nuk i bindeshin shtetrrethimit dhe që shkelnin masat e izolimit“, thotë raporti, duke shpjeguar kontekstin e përgjithshëm.
Në Serbi, agjencitë e ngritura për të luftuar krimin kibernetik e kaluan fokusimin tek njerëzit e akuzuar për përhapjen e panikut dhe përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale dhe në grupet Viber.
Disa aktivitete të krimit janë ulur si rezultat i pandemisë, thekson raporti. Për shembull, emigracioni i paligjshëm ra në mënyrë të konsiderueshme në fund të marsit.
Por trafiku i drogës ka vazhduar, madje karantina ka bërë që çmimi të rritet. Studimi thotë se, duke parë raportet e para mbi aktivitetet kriminale gjatë kohës së krizës së koronavirusit, trafikantët kanë vazhduar të veprojnë, dhe janë përshtatur me mundësitë e reja.
Duke u ndalur tek Shqipëria, raporti citon policinë shqiptare që vlerëson se devijimi i vëmendjes së autoriteteve në detyra të tjera do të çojë në një rritje të prodhimit të kanabisit. Kufizimet e lëvizjes po pengojnë shpërndarjen e drogave, kështu që çmimi i hashashit është rritur në Shqipëri dhe shumicën e vendeve të rajonit.
Sidoqoftë, droga e paligjshme mbetet e disponueshme në sasi të mëdha dhe kjo dëshmohet nga konfiskimet dhe arrestimet që kanë ndodhur në rajon që prej fillimit të krizës shëndetësore.
Pandemia ka të ngjarë të ndryshojë dinamikën e furnizimit, kërkesës dhe çmimeve të drogës dhe kanalet e furnizimit dhe ndryshimet në treg do të jenë më të mëdha, për aq kohë sa të vazhdojë kriza, vlerëson studimi.
Në Shqipëri, policia konfiskoi kohët e fundit 613 kg kanabis në veriperëndim të vendit dhe numri i qytetarëve të arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në Tiranë është i dyti pas atyre që janë arrestuar për shkeljet e kufizimeve të lëvizjes.
Ndërkohë, në Serbi, policia kohët e fundit gjeti një laborator të paligjshëm të prodhimit të marihuanës në një fshat të vogël me rreth 1.500 banorë, thotë studimi.
Informacioni nga terren tregon gjithashtu se një sasi e madhe kokaine ka mbërritur në Bosnje dhe sipas studimit, nuk dihet nga ka ardhur. Sasi të mëdha të barnave stimuluese, ose metafetamines, po shpërndahen gjithashtu në pjesën më të madhe të rajonit, përfshirë edhe vendin tonë.
“Si rezultat i mbylljes së kufijve dhe vështirësisë për furnizim, pastërtia e substancave narkotike ka rënë. Trafikantët më të mëdhenj në Ballkan po grumbullojnë drogë dhe lëndë të ndryshme dhe po i përziejnë ato me aditivë të ndryshëm për të fituar më shumë para dhe për t’i bërë ato të zgjasin më shumë”, thekson raporti.
Ky skenar “mund të shkaktojë një mori problemesh të tjera në të ardhmen, veçanërisht për përdoruesit e varur nga lëndët narkotike”.
Qytetarët në rajon kanë vuajtur nga mungesa e mallrave bazë mjekësore si maska, doreza dhe dezinfektues, çmimet e të cilëve u rritën ndjeshëm në javët e para të krizës. Mafia duket se e ka shfrytëzuar edhe këtë mundësi. Në Beograd, policia arrestoi një person që po shiste 6,000 maska për fytyrën.
Autoritetet sllovene konfirmuan që policia e tyre kapi një grup kriminal që bleu 1.5 milion maska nga Bosnje Hercegovina, për t’i shitur në vatrat e epidemisë.
“Është e mundur që grupet kriminale aktualisht po investojnë në prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve mbrojtëse, sanitare dhe mjekësore, si dhe dezinfektuesve. Në rrethana të tilla, ka të ngjarë që mallrat me cilësi të dobët do të shfaqen në treg“, thotë studimi. Informacioni se ku mund të blihen maskat, dezinfektuesit dhe alkooli medicinal në tregun “e zi” po shpërndahen kudo në internet.
Fusha e tretë kryesore ku lulëzon veprimtaria kriminale janë mashtrimi e bëra me ndihmën e teknologjive dixhitale.
Reklamat në telefon dhe në internet ofrojnë trajtime “popullore” për mbrojtën nga koronavirusi, që në të vërtetë nuk kanë asnjë efekt.
Në Serbi, njerëzit kanë marrë mesazhe false, duke u kërkuar atyre të japin informacione personale, siç janë numrat e tyre unik të identifikimit, numrat e llogarisë bankare, kodet PIN dhe të dhëna të ngjashme.
Autoritetet e rregullatorit kombëtar rajonal për komunikimin elektronik thanë që numri i postave elektronike që përmbajnë forma të ndryshme të mashtrimeve, duke mashtruar qytetarët në mendimin se mund të blejnë medikamente që mbrojnë nga koronavirusi, është rritur.
Burimet: “Balkan Insight”, “BCBP”.