Aktualitet Nazime Visha bëhet nënë dhe fillon një jetë të re në Bullgari

Nazime Visha bëhet nënë dhe fillon një jetë të re në Bullgari

Nazime Visha në vitin 2013 u bë kryefjalë e mediave dhe e opinionit publik, pasi vrau me armë zjarri një 45-vjeçar, që sipas saj e kishte dhunuar seksualisht kur ajo kishte qenë 14 vjeç.

Visha adoleshente në atë kohë u dënua me 10 vite burg për krimin e kryer, por pas faljes së firmosur nga presidenti i kohës Bujar Nishani ajo kreu vetëm 3 vite të dënimit.

Tashmë kanë kaluar 7 vjet tashmë nga ngjarja e rëndë dhe në një rrëfim për Abc News, gjyshja e Nazimes tregon se ajo tashmë ka krijuar familjen e saj dhe ka një vajze 2 vjeçe.

“Ne tashmë e kemi harruar historinë ajo është martuar në Bullgari dhe ka një gocë 2 vjeçe. Ajo vetë nuk punon, por rri me vajzën. Në Shqipëri ajo vjen njëherë në 6 muaj”, tha gjyshja e Nazimes.

E moshuara ka treguar edhe momentin se si u njoh mbesa me bashkëshortin, i cili nuk ka shfaqur asnjë lloj kompleksi për të shkuarën e Nazimes.

“Kishte qenë 7 herë në Shqipëri për të gjetur grua shqiptare, Rastisi, u takuan. Ai punon si furnizues dyqanesh. Erdhi vetë në shtëpi. Historinë nuk e pati problem. Mua ma patën kërkuar edhe këtu me thënë të drejtën, por nuk kisha qejf”, rrëfen ajo.

Nazime Visha qëlloi me breshëri automatiku Fiqiri Muçën, mesnatën e 13 gushtit të vitit 2013. Ajo u dënua me 10 vjet burg. Por tre vjet më pas, ajo u lirua pas një faljeje të firmosur nga Presidenti Bujar Nishani.

Kjo falje u kërkua nga personalitete të larta, si shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, sopranoja Inva Mula, poetët Luljeta Lleshanaku dhe Rudolf Marku dhe violinisti Tedi Papavrami.