Aktualitet Zbardhet raporti i policisë: Orgest Bilbili theu telefonin për të humbur provat

Zbardhet raporti i policisë: Orgest Bilbili theu telefonin për të humbur provat

Klan Plus zbardh raportin e policisë për ngjarjen e ndodhur më 10 prill në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, ku u plagos dhe arrestua Orgest Bilbili, një nga personat më të rrezikshëm të botës së krimit në vendin tonë.

Sipas deklaratës së dhënë nga efektivi i Shqiponjave, rastësisht ai ka kaluar pranë shkollës “Niket Dardani”, ku ka konstatuar dy persona meshkuj, që lëviznin në rrugë, në një kohë kur lëvizja është e ndaluar dhe ata që janë në rrugë duhet të jenë të pajisur me leje lëvizjeje.

Efektivi iu ka kërkuar mjetet e identifikimit dhe reagimi i dy personave ka qenë i menjëhershëm. Njëri prej tyre, që vijon të mbetet i paidentifikuar, sipas deklaratës së policit, është larguar, ndërsa personi tjetër e ka ofenduar.

Kjo ka acaruar situatën, ndërsa polici deklaron se një sjellje e tillë, e ka bërë që të dyshojë se kemi të bëjmë me një person të rrezikshëm. Bilbili ka nxjerrë armën, duke e kanosur këtë të fundit, ndërsa në tentativë për t’u larguar, efektivi i Shqiponjave ka gjuajtur me të paktën dy plumba, njëri që plagosi Orgest Bilbilin dhe tjetri një kalimtare të rastit.

Pasi Bilbili është rrëzuar në tokë, polici ka tentuar t’i marrë telefonin, si një provë që mund të çonte në zbardhjen e shumë të dhënave të rëndësishme, se kush e ka ndihmuar një person me precedent të rëndë kriminal për të gjetur një banesë në një nga zonat më të populluara të Tiranës dhe se ku mund të ketë qëndruar ai përgjatë gjithë kohës që ishte në arrati.

Bilbili, megjithëse i plagosur e ka thyer telefonin e tij, duke hequr kështu nga duart e policisë një provë të madhe. Megjithëse i thyer, sërish ai u sekuestrua.

Ndërsa vetë Bilbili ka qenë i rezervuar në deklaratën e dhënë para policisë dhe prokurorisë, por edhe ditën e që u caktua masa ndaj tij. Me pretekstin se nuk është mirë nga ana shëndetësore, Bilbili është shprehur i habitur se përse po i jepet një masë e tillë për të, kur ai nuk ka pasur për qëllim të qëllojë mbi efektivin e Shqiponjave.

Dhe si provë për dëshmimin e deklaratës së tij, ai ka kërkuar që të merren kamerat e sigurisë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën tre plumba, për të cilat Prokuroria ka dyshime të forta se kanë dalë të gjitha nga arma e policit.

Ndërsa dokumentet që vetë policia ka referuar në Prokurori janë një procesverbal i ngjarjes, deklarata e policit dhe ajo e vajzës së plagosur rastësisht.

Nuk dihet ende se me kë jetonte në banesën me qira Orgest Bilbili, pasi nuk ka dhënë asnjë detaj. Edhe fqinjët që janë pyetur nga policia kanë thënë se nuk i njohin të rinjtë, madje që nuk i kanë parë asnjëherë.

Nga ana tjetër, grupi hetimor po punon për mbledhje të provave të tjera. Nëse vërtetohet që Bilbili nuk ka qëlluar mbi efektivin e Shqiponjave, atëherë akuza që rëndon mbi të, mund të shndërrohet nga vrasje në kanosje të efektivit të policisë, por kjo nuk e ndryshon masën e dhënë për të./Klan Plus