Ditën e sotme ka nisur fluturimet nga disa destinacione në Europë për të rikthyer në atdhe shqiptarët që kanë mbetur të bllokuar jashtë pas masave të marra në kuadër të Covid-19.
Grupi i parë i shqiptarëve erdhi nga Stambolli. 45 persona, pjesa më e madhe studentë mbërritën në orën 09:25 në aeroportin e Rinasit, ndërsa pasdite do të vijë grupi i dytë nga Roma.
Nga Rinasi janë transportuar me autobus në hotel në Durrës 45 shqiptarët që u riatdhesuan nga Stambolli. Grupi i parë u vendos te hotelet te Shkëmbi i Kavajës. Hotelet janë dezinfektuar dhe është instruktuar personeli për mënyrën e sjelljes.
Ndërkohë sot u krye fluturimi i dhjetë kushtuar riatdhesimit në Itali organizuar nga Albawings.
Ambasada e Italisë në Shqipëri bëri të ditur sot se në bordin e avionit, krahas shtetasve italianë dhe shqiptarë me leje te rregullt qëndrimi, kishte edhe shumë amerikanë, të cilët do të kthehen në SHBA përmes aeroportit të Romës, Fiumicino.
Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot datë18 prill do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë.
Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra.