Kriza e COVID-19 ka bllokuar në shtëpi me mijëra punëtorë sezonalë që mbijetojnë falë punës në Greqi dhe në vendet e tjera, ndërsa presin me padurim një zgjidhje të shpejtë nga bisedimet mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke.
Bardha Nergjoni / BIRN
Julian Çepa nga fshati Gjergjan i Elbasanit merr dy herë në vit rrugën drejt Kavallës së Greqisë; në prill kur mbillet duhani dhe nëntor për vjeljen e ullirit. Por mbyllja e kufirit për shkak të epidemisë së COVID-19 e ka bllokuar në shtëpi punëtorin sezonal këtë vit, duke e privuar nga të ardhurat që sigurojnë mbijetesën e familjes.
“Më ka marrë pronari e po më pret për mbjelljen e duhanit,” thotë i shqetësuar Cepa, me sy e veshë nga lajmet për hapjen e kufirit. “Ne jemi shumë këtu që presim, pasi me ato lekë mbajmë familjen. Këtu nuk kemi çfarë të bëjmë,” shton ai.
Mbyllja e kufijve për shkak të krizës së COVID-19 ka bllokuar me mijëra punonjës sezonalë në Shqipëri, të cilët e fitojnë jetesën e tyre përmes punës në bujqësi apo sektorë të tjerë të ekonomisë.
Fqinji jugor- Greqia është vendi që punëson tradicionalisht numrin më të madh të punonjësve sezonalë nga Shqipëria. Megjithatë, një pjesë punojnë në vendet e rajonit dhe të tjerë, falë lëvizjes së lirë përmes pasaportës biometrike, edhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Punëtorët sezonalë shqiptarë nuk janë të vetëm në shqetësimin për humbjen e sezonit pranveror në bujqësi. Përballë një ekonomie të goditur rëndë nga kriza e koronavirusit, shtetet po eksplorojnë mundësitë e hapjes së kufijve vetëm për krahun e lirë të punës, në mënyrë që të reduktojnë humbjet edhe në sektorin e bujqësisë.
Në fillim të prillit, Gjermania deklaroi se do të hapte dyert për 40 mijë punëtorë të huaj të sektorit të bujqësisë përmes udhëtimeve ajrore të organizuara. Një plan të tillë po përpiqet të ndjekë edhe Athina zyrtare, e cila ka nisur tashmë bisedimet me qeverinë shqiptare për të lejuar kalimin e punëtorëve sezonalë drejt Greqisë.
Ministri grek i Bujqësisë, Makis Vorodhis deklaroi më 14 prill se po eksplorohen mundësitë që punëtorët sezonalë nga Shqipëria të qëndrojnë për pak ditë në karantinë dhe më pas të dalin nëpër fusha. Një mundësi tjetër është testimi i tyre për COVID-19 pas mbërritjes në Greqi.
Edhe kryeministri Rama pranoi bisedimet me palën greke për të lejuar kalimin e punëtorëve sezonalë. “Kemi pasur edhe një kërkesë apo shqetësim të shprehur nga konfederata agro-përpunuese dhe jemi duke diskutuar për të hapur rrugën për në Greqi,” tha Rama në një lidhje me emisionin “Opinion”.
Megjithatë, koha se kur kjo do të bëhet realitet mban në ankth Halimin, 60 vjeç, nga fshati Gjyralë i njësisë administrative Gostrimë në Elbasan.
“Dhe dy javë dhe fshati mbaron,” thotë Halimi në një bisedë telefonike me BIRN. “Ne tani jemi me sytë nga qielli. Çdo ditë veshët i mbajmë nga televizori mos hiqet karantina që të nisemi drejt Greqisë. Duhet të gjendet një zgjidhje për ne, pasi në të kundërt përfundojmë pa bukë në rrugë të madhe,” shtoi ai për BIRN.
Rreth 30% e krahut të punës në fshatin Gjyralë jeton përmes punësimit sezonal. Ata punojnë kryesisht në Greqi me mbjelljen e duhanit, rrallimin e pemtarisë dhe më vonë me vjeljen e frutave të pranverës dhe verës.
“I lutemi Kryeministrit të vërë dorën në zemër, të hapë kufijtë që të ikim. Si unë janë edhe shumë të tjerë që presin. Do nisemi në këmbë…,” shtoi Halimi në dëshpërim.
Edhe Julian Çepa nga Gjergjani pret me padurim hapjen e kufirit, ndërsa apelon për një zgjidhje sa më të shpejtë.
“I lutemi shtetit shqiptar të mendojë për ne. Ne nuk fitojmë asgjë këtu edhe pse nuk kemi asnjë fitim, nuk marrim pagë lufte siç marrin bizneset në qytet,” përfundoi ai.