Extra Shefi shqiptar i restorantit “Noma” tregon sfidat me të cilat po përballen...

Shefi shqiptar i restorantit “Noma” tregon sfidat me të cilat po përballen edhe restorantet më të mirë në botë

Shef i kuzhinës dhe bashkëpronar i restorantit "Noma", Rene Redzepi.

Shef i kuzhinës dhe bashkëpronar i restorantit “Noma”, Rene Redzepi.

Ndërsa koronavirusi ka bllokuar të gjithë bizneset në botë dhe vazhdon të jetë një kërcënim për ekonominë, duket se më të prekurit janë restorantet dhe baret, pasi mendohet se ato do të jenë të fundit që do të rinisin aktivitetin e tyre.

Në Europë shumë vende kanë filluar t’i lehtësojnë masat kufizuese dhe në të njëjtën kohë të mendojnë për të ardhmen e këtij biznesi.

Ndër to është edhe një ndër restorantet më të mirë në botë, i cili ndodhet në Kopenhagen, Danimarkë dhe drejtohet nga shefi Rene Redzepi. Ai ka prejardhje shqiptare dhe restoranti i tij mban dy yje “Mishelin”, një vlerësim qe shkon për restorantet më të kualifikuar dhe për kuzhinat më të mira.

Në një video të postuar në profilin e tij në instagram, ai tregon se COVID-19 ka ndikuar jo vetëm në bizneset dhe restorantet e vogla, por edhe në ato elitare.

“Jemi me fat këtu në Danimarkë. Ne mund të aplikojmë për paketa ndihme nga qeveria. Një ndihmë shumë e madhe për restorantet dhe komunitetin e restoranteve. Sapo na është konfirmuar një kredi bankare”, tregon shef Redzepi.

Por përveç ndihmës së qeverisë, klientët besnikë kanë qenë të gatshëm të japin një kontribut, për të realizuar hapjen sa më të shpejtë të një prej restoranteve të tyre të preferuar.

“Tani ne po futemi në një fazë të re që është përpjekja për të planifikuar atë që do të vijë. Është e vështirë për t’i gjetur zgjidhje kësaj, por është një lehtësim i madh që të paktën mund të futemi në atë fazë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu nga kontributet e fituara ai do të ndihmojë edhe ish-stafin e tij, që fatkeqësisht prej situatës së krijuar nga COVID-19 kanë humbur punën, si shumë punonjës të tjerë, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën.

Shifrat e fundit tregojnë se numri total i personave që kanë humbur punën si pasojë e kushteve të vështira të bizneseve është afërsisht 60 për qind, ndërsa ekonomia shënon një ndër rëniet më të mëdha që prej “Depresionit të Madh”.

“Do të doja t’i thoja ish-stafit të Noma, që kanë qenë pjesë e jona në 17 vitet e fundit se ne po nisim një iniciativë të vogël lehtësuese për ta. Unë, personalisht, kam dhuruar çdo gjë që kam ekstra”, shpjegon Rene Redzepi në video mesazhin.

Ai thotë se kjo ndihmë do të shkojë për të gjithë ata që gjenden në një situatë të vështirë, ku gjërat bazike janë kthyer në një problem dhe paratë janë duke u mbaruar.

“Ne do donim që ky fond të shkonte specifikisht për sigurimet shëndetësore, në mënyrë që të gjithë ta kenë të paktën këtë siguri”, nënvizon ndër të tjera ai.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Rene Redzepi (@reneredzepinoma) on