I ftuar në emisionin “Top Talk” të Denis Dyrnjaja, për të folur mbi dorëzimin e Klement Balilit, gazetari i kronikës, Artan Hoxha komentoi edhe lidhjet e “Eskobarit të Ballkanit” me politikën në vend.
Hoxha theksoi se ishte pikërisht përfshirja e Balilit në jetën politike, ajo që e ekspozoi më shumë atë dhe i krijoi probleme, ndërsa shtoi se vendimi për t’u dorëzuar, ka shqetësuar politikanë të shumtë.
“Problemi i tij kryesor është fakti që u përfshi në jetën politike, gjë që e solli në rrethanat ku është sot. Madje dua të theksoj se dorëzimi i tij ka shqetësuar shumë disa njerëz mjaft të rëndësishëm të politikës në vend”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se Balili është cilësuar si “njeriu i të gjithëve”, pasi është akuzuar se u shërben politikanëve të ndryshëm.
“Aftësia e një bosi jetëgjatë të krimit, është nuhatja e tij për lëvizjet e mëdha politike. për Balilin është aluduar shumë, për ta lidhur me emra të caktuar të politikës, por vetë ai ka mbështetur politikisht ata që kanë qenë në pushtet”, theksoi Hoxha.