Me një lëvizje surprizë, presidenti amerikan Donald Trump i ka anuluar udhëtimin kryetares së Kongresit, Nensi Pelosi, që do të ndalonte në Bruksel, Afganistan dhe Egjipt. Përmes një letre, Trump ka sqaruar se e mori këtë vendim për shkak të situatës së krijuar nga bllokada qeveritare.
“Jam i sigurt se ju jeni plotësisht dakord se shtyrja e këtij udhëtimi është vendimi i duhur”, ka thënë Trump në letër.
“Për shkak të mbylljes së qeverisë, më vjen keq t’ju informoj se udhëtimi juaj në Bruksel, Egjipt dhe Afganistan është shtyrë.” “Do ta riplanifikojmë këtë ekskursion shtatë-ditor kur të ketë mbaruar mbyllja”, shkruante Presidenti Trump.
Më herët zonja Pelosi i kishte kërkuar presidentit të shtynte fjalimin e tij tradicional, duke cituar si motiv pikërisht ngërçin politik, por lëvizja e kreut të shtetit e ka kapur atë tërësisht të papërgatitur. Dhe në fakt, vendimi i Trump për t’i anuluar zonjës Pelozi udhëtimin erdhi vetëm gjysmë ore para nisjes së saj.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders e ka publikuar letrën e shefit të saj në Twitter, ku Trump jep edhe argumente të tjera. “Gjithashtu mendoj se gjatë kësaj periudhe do të ishte më mirë që ju të ishit në Uashington duke negociuar me mua dhe duke bashkuar forcat me lëvizjen për Sigurinë Kufitare, në mënyrë që t’i japim fund bllokadës”, ka thënë Trump.
Kreu i shtetit ka zgjedhur të nënvizojë se i hoqi zyrtares demokrate të drejtën për të udhëtuar me avion ushtarak.
“Ndërsa nëse zgjidhni të udhëtoni me një avion civil, kjo është e drejta juaj”, ka vijuar me ironi Trump.
Presidenti i ka bëri thirrje zonjës Pelosi që t’i kthejë sytë nga rreziku që sipas tij vjen nga kufiri me Meksikën dhe që të lëvrojë fondin prej 5.6 miliardë dollarësh për t’u dhënë amerikanëve sigurinë që meritojnë.