Ka shkuar në 712 numri i të infektuarve në vendin tonë, nga 7015 teste të kryera në total.
Në një deklaratë për mediat, Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 34 raste të reja të prekur me koronavirus nga 247 teste të kryera.
18 raste janë zbuluar në Krujë dhe 1 rast në Mat, 6 në Kukës, 4 në Tiranë në Burgun 313, 2 në Kurbin, 1 në Lushnje, 1 në Berat dhe 1 nga të riatdhesuarit.
Covid-19 deri më tani u ka marrë jetën 27 personave, ndërsa janë shëruar 403 persona.
Në spitalin Infektiv, Covid 1, aktualisht ndodhen të shtruar 32 pacientë, 4 në terapi intensive, 1 i intubuar, ndërsa në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen të shtruar 8 pacientë, 4 në terapi intensive dhe 2 të intubuar.
Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.