Rëndohet situata e shqiptarit në Greqi, Aleksandër Luca. 20-vjeçari, i cili ndodhet në qeli si një nga dy të arrestuarit për përdhunimin dhe vrasjen e studentes Eleni Topaloudi, dyshohet i përfshirë edhe në abuzimin seksual të një 19-vjeçareje tjetër me aftësi të kufizuara. Kjo ngjarje ka ndodhur vetëm 24 orë pas krimit ndaj studentes Topaloudi më 28 Nëntor 2018.
Lajmi u bë i ditur nga policia greke, e cila njoftoi arrestimin e një 23-vjeçari rom, i përfshirë gjithashtu në abuzimin e vajzës me aftësi ndryshe.
Ky i fundit, së bashku me Aleksandër Lucën, dyshohet se kanë abuzuar me 19-vjeçaren. I dyshuari rom tashmë ndodhet në prangat e policisë, raportojnë mediat greke. Ndërsa, Aleksandër Luca po hetohet edhe për këtë ngjarje të rëndë, përpos hetimit që po zhvillohet paralelisht për vrasjen e studentes 21-vjeçare Eleni Topaloudi.
Kjo e fundit është abuzuar seksualisht dhe më pas dhunuar nga 20-vjeçari shqiptar dhe shoku i tij grek Manolis Koukouras 21 vjeç. Dy të rinjtë e kishin qëlluar me hekur në kokë studenten dhe më pas trupin e saj e kishin hedhur në det. Trupi i Eleni Topaloudi u gjet në shkëmbinj të nesërmen e ngjarjes. Studentja ishte lidhur nga këmbët kur u hodh në det, ndërsa mjeko-ligjorët konfirmuan se Eleni ka qenë gjallë pasi ishte hedhur. Që do të thotë se ajo humbi jetën nga mbytja dhe mund të ishte gjallë nëse do të ishte dërguar në spital, pavarësisht se ishte dhunuar rëndë.
Aleksandër Luca dhe shoku i tij Manolis Koukouras kanë pranuar përfshirjen në krim, por të dy akuzojnë njëri-tjetrin si personin që goditi me hekur në kokë studenten dhe më pas mori vendimin për t’i hedhur trupin në det.
Ngjarja e rëndë që ndodhi në fund të muajit Nëntor 2018 në ishullin Rodos të Greqisë, tronditi opinionin publik. Familja e shqiptarit u detyrua të largohej nga ishulli për shkak të paragjykimeve. Kurse vet Aleksandër Luca u dhunua në qeli nga të paraburgosurit e tjerë.
Më pas u transferua në një burg tjetër dhe u vendos në qeli bashkë me shokun e tij Manolis Koukouras.
Shtypi grek ka raportuar se të dy nuk flasin me njëri-tjetrin, por janë bashkëpunues me autoritetet dhe avokatët respektivë.