Nga Florion Metohu
Ndërkohë që beteja me pandeminë e koronavirusit dhe gara kundër kohës për të gjetur një kurë dhe vaksinë vazhdon, duket se një front i ri për kontrollin e informacionit po shfaqet gjithnjë e më fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Dhe asnjë vend nuk ka qenë më shumë aktiv në këtë front se sa Kina.
Përveç një fushate të gjerë propagandistike e cila synon të lavdëroj modelin politik kinez në suksesin e përballimit të pandemisë si dhe lidershipin që ajo po tregon në “ndihmën umanitare” ndaj vendeve të tjera, vihet re një agresivitet në rritje ndaj çdo zëri kritik që vë në pikëpyetje këtë linjë narrative të importuar nga lindja e largët.
Përfaqësuesit diplomatik kinezë kanë filluar një mbrojtje agresive sa herë që vendi i tyre akuzohet se ka fshehur pandeminë në fillimet e saj dhe nuk ka vepruar aq shpejt sa të frenojë përhapjen në të gjithë globin.
Sipas ekspertëve ndërkombëtar, ata i përkasin një gjenerate të re të diplomatëve të ashtuquajtur “Wolf Warrior”, sipas filmit kinëz me të njëjtin emër, me nuanca të theksuara patriotike ku aktori kryesor është një komando kineze me muskuj, që shfaqet në rolin e heroit duke “vrarë njerëz të këqij perëndimor” në Afrikë dhe Azinë Juglindore.
Ambasadori kinez në Suedi, Gui Congyou ka shfaqur irritimin e tij ndaj gazetarëve suedez, duke i krahasuar ata me një boksier të peshave të lehtë që, nën petkun e lirisë së fjalës, kërkojë të sfidojnë një boksier të peshave të rënda si Kina. Ambasada e Kinës në Berlin i dërgoi një letër të hapur Bild duke akuzuar tabloidin për veprime pa integritet në fajësimin e pandemisë ndaj Kinës dhe llogaritjen prej 160 miliard euro që kjo e fundit i detyrohet Gjermanisë në dëmtime për mos kontrollimin e saj. Ambasada kineze në Spanjë ka postuar në faqen e saj zyrtare se “Liria e shprehjes ka kufij”, si përgjigje ndaj një politikani të ekstremit të djathtë që postoi një video satirike ku shihen “antitrupat spanjollë që luftojnë viruset e mallkuara kineze.”
Por nuk mjaftohen vetëm me sulme ndaj fjalës dhe shtypit të lirë. Ata janë bërë dhe burime të “Fake news” të cilat janë amplifikuar nga aparatet mediatike propagandistike. Një tekst pa autor, i postuar në faqen e internetit të ambasadës kineze në Francë këtë muaj akuzoi pa fakte stafin e azileve të pleqve franceze se i linte të moshuarit e prekur nga koronavirusi të vdisnin, duke sjell një reagim të ashpër të administratës franceze.
Ajo që e bën më shqetësuese, është fakti se përveç se shpërndajnë fake news, diplomacia kineze mundohet të bllokojë dhe publikimin e fakteve që provojnë këtë fushatë dizinformuese. Sipas katër burimeve dhe korrespondencës diplomatike të shqyrtuara nga Reuters, Kina u përpoq këtë jave të bllokojë një raport të Bashkimit Evropian që pretendonte se Pekini po përhapte dezinformata në lidhje me shpërthimin e koronavirusit.
Raporti përfundimisht u publikua këtë të premte, megjithëse disa kritika ndaj qeverisë kineze ose u riformatuan ose u heqon fare, një shenjë e aktit balancues që Brukseli po përpiqet të mbaj duke shmangur përplasjet në marrëdhëniet me Kinën. Raportin e riformatuar mund ta lexoni në: https://euvsdisinfo.eu/eeas-special-report-update-2-22-april/
Katër burime diplomatike i thanë Reuters se raporti fillimisht ishte planifikuar për t’u publikuar në 21 prill, por ishte vonuar pasi zyrtarët kinezë u vunë në dijeni të këtij raporti. Një zyrtar i lartë kinez kontaktoi përfaqësuesit evropianë në Pekin në të njëjtën ditë për t’u thënë atyre se, “nëse raporti do të publikohet me atë përmbajtje do të ketë efektë shumë negative për bashkëpunimin e ndërsjelltë. Korrespodenca citonte zyrtarin e lartë të ministrisë së jashtme kineze Yang Xiaoguang të thoshte se botimi i raportit do ta bënte Pekinin “shumë të zemëruar”
Është e qartë se për Pekinin zyrtar nuk është i pranueshëm asnjë version tjetër i fakteve që shpjegojnë krizën shëndetësore dhe ekonomike që ka pllakosur gjithë botën, përveç versionit të tij. Një version që nga njëra anë mohon çdo përgjegjësi të Kinës për fshehjen dhe përhapjen e pandemisë së koronavirusit dhe nga ana tjetër e përshkruan atë si një model politiko/ekonomik më i mirë se ato të shoqërive perëndimore.
Të vetmen sjellje që Pekini pranon nga partnerët ndërkombëtar është përulja dhe adhurimi ndaj saj, shembullin më grotesk të së cilit na e jep Serbia e cila në mes të Beogradit ka shpalosur një foto gjigande të liderit kinez me mbishkrimin “Faleminderit vëlla Xi”, apo të gjestit qesharak të presidentit Aleksander Vuçiç që përulet duke puthur flamurin kinez, një veprim që do e ket bërë të plasi nga inati dhe zilia edhe vet Putin, padronin e vet tradicional.
Të gjithë ata që u mahnitën dhe u zilosën nga modeli kinez dhe “efikasitetin” në përballimin e pandemisë duhet të kenë parasysh se nënshtrimi dhe censura janë karakteristikat e atij modeli dhe nga shumë produkte që importohen nga Kina, të shpresojmë që ky të jetë një nga ato të cilave u vendoset embargo në shoqëritë tona.