Aktualitet Çudit avokati i “Eskobarit”: Balilin e goditën nga xhelozia e Berishës dhe...

Çudit avokati i “Eskobarit”: Balilin e goditën nga xhelozia e Berishës dhe e Greqisë

Klement Balili do të dalë për të dytën herë para trupës së gjyqtarëve të Krimeve të Rënda më 25 janar. Caktimi i seancës është bërë brenda afateve të parashikuara kohore, 10 ditë nga dorëzimi i dosjes hetimore nga prokurori Eneid Nakuci.

E teksa pritet me interes vendimi i gjykatës për të mbyllur ose jo hetimet për “Eskobarin e Ballkanit”, avokati i tij është i bindur për të kërkuar në seancën e radhës, gjykim të shkurtuar për klientin e tij.

“Ne avokatët do kërkojmë gjykim të shkurtuar dhe besojmë se çështja do mbyllet shumë shpejt. Nuk ka prova dhe jam i bindur se nuk do ketë dënim të rëndë. Kjo drogë për të cilën akuzohet Balili nuk është kapur në territorin shqiptar e as në ujrat tonë por në një ishull të shkretë të Greqisë dhe atje janë arrestuar dy persona Petro Dajlani dhe Kleanthi Lala. Ata nuk kanë përmendur emrin e Balilit”, ka thënë avokati.

Baftjar Rusi në emisionin “Debati në Channel One” ka shprehur mendimin e tij edhe sa i përket etiketimit të klientit të tij si “Eskobari i Ballkanit” duke thënë se kjo lidhet me xhelozinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa akuzat vijnë si pasojë e xhelozisë që kishte Greqia ndaj klientelës që po merrte kompleksi “Santa Quaranta”.

I pyetur përse u përfshi politika në çështjen “Balili”, Rusi argumentoi se gjithçka lidhet me pasurinë që kishte arritur të bënte Klementi me bizneset e tij të ndershme.

“Sepse ka xhelozi për Balilin. Duke qenë se kanë patur shumë vota si familje e madhe dhe lidhje pune tregtare imagjinoni te “Santa Quaranta” kishte të punësuar 500 persona kamarierë dhe punonjës të një biznesi kaq brilant që u bë xheloz Greqia. Përse nuk e bëni këtë lidhje. 2 mijë- 3 mijë turistë kalonin nga Greqia në Sarandë çfarë mendonin ata? Balili dhe familja e tij në fillim i kanë shërbyer Partisë Demokratike me të gjithë vota. Më vonë te e majta dhe më vonë te LSI”, deklaroi Rusi.