Shëndet Pozitiv me Covid-19 edhe pas 70 ditësh: Si shpjegohet?

Pozitiv me Covid-19 edhe pas 70 ditësh: Si shpjegohet?

Pacientë përfundimisht ‘të shëruar’, që kontrollohen sërish dhe rezultojnë pozitivë, edhe pse nuk kanë simptoma. Ka ndodhur në Wuhan, në Korenë e Jugut, por edhe në Itali. Ja çfarë ndodh

Nga Valeria Pini, Repubblica

Një burrë me maskë në fytyrë hap derën e një shtëpie në Wuhan të Kinës. Kur futet psikologu, ai shpërthen në lot. Është i rraskapitur. Për herë të parë u diagnostikua me Covid-19 në fillim të shkurtit, u trajtua në dy spitale të ndryshme, përpara se të transferohej në pjesën industriale të qytetit në karantinë. Tani, dy muaj më vonë, ai ka bërë sërish tamponin dhe ka rezultuar akoma pozitiv.

Ky zotëri në të 50-tat nuk është i vetmi që e gjen veten në këtë situatë, edhe pse Kina nuk ka publikuar të dhëna se sa njerëz janë pjesë e kësaj kategorie. Mjekët kinezë në Wuhan thonë se ka disa raste, kur pacientët e shëruar, kontrollohen më vonë dhe rezultojnë pozitivë, por pa simptoma. Shumë prej tyre pas 50-60 ditësh, dikush mbi 70 ditë. Shumë më tepër se 14 ditët e periudhës së izolimit, të rekomanduar globalisht. Në Korenë e Jugut, 163 persona që dukeshin të çliruar nga Covid-19, tani janë sëmurë përsëri. Dhe një rast i vështirë në kapërcimin e sëmundjes është regjistruar në Itali, ku një vajzë 23 vjeç ka kaluar 50 ditë pozitive.

“Janë ngjarje të rralla, por jo të jashtëzakonshme. Ka njerëz që kthehen pozitivë pas një kohe të gjatë. Covid-19 është një sëmundje që duhet monitoruar për disa javë gjithsesi,” shpjegon profesor Massimo Andreoni, shef i sëmundjeve infektive në Poliklinikën Tor Vergata në Romë.

A është i infektuar me një virus të ri apo është ai i mëparshmi?

Nuk ka studime që na tregojnë saktësisht nëse është një virus i ri apo ai i pari. Ekzistojnë dy skenarë të mundshëm. Në të parin, pacienti i kuruar infektohet nga një person sepse antitrupat e krijuar gjatë infeksionit të parë nuk funksionojnë, ose sepse qarkullojnë viruse të ndryshëm, që mund të infektojnë pacientin disa herë. Imunizimi i krijuar gjatë sëmundjes së mëparshme nuk funksionon me viruset e reja. Mund të mendohet për një virus që modifikohet për të mashtruar sistemin tonë imunitar. Por unë e gjykoj këtë hipotezë të pamundur.

Çfarë ndodh nëse pacienti nuk është i infektuar nga jashtë?

Hipoteza është se kur individi shërohet, virusi nuk shkatërrohet plotësisht. Ai mbetet në traktin respirator dhe fshihet me një riprodhim modest. Në tamponin e parë, që bëhet për të deklaruar pacientin të shëruar, nuk shihet. Por me kalimin e kohës riprodhohet dhe në një pikë e shfaq veten. Këtu mjekët zbulojnë edhe një herë se personi është pozitiv, disa ditë pas diagnozës së parë.

A është një situatë e përhapur?

Duhet thënë se këto janë përqindje të ulëta. Sot ne flasim për 1 deri në 2 përqind të pacientëve. Por mund të jenë më shumë pasi në Itali nuk është zakoni i rikontrollit pas shërimit. Nuk parashikohet në praktikën klinike dhe vetëm disa prej nesh e bëjnë. Ne nuk kemi statistika të vërteta.

Por në rastet kur virusi është fshehur te pacienti, a është po kaq ngjitës?

Nëse pacienti është shëruar, edhe nëse virusi fillon të shumëfishohet, ai ka më pak aftësi për t’u transmetuar sepse është reduktuar fuqia virale. Ky është një fenomen që ndodh edhe me viruse të tjera. Megjithatë ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm: koronavirusi është një virus i komplikuar.