Këshilltari i tregtisë në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, akuzoi sot Kinën se ka dërguar kite testime me cilësi të ulët dhe madje të falsifikuara në Shtetet e Bashkuara.
Navarro, një kritik i hapur i Pekinit, të cilin Presidenti Donald Trump e ka caktuar të punojë në çështjet e linjës së furnizimit në lidhje me krizën shëndetësore, tha se më shumë testime si për virusin edhe për antitrupat janë të domosdoshme për amerikanët në situatën kur kalohet nga izolimi në punë.
“Në këtë pikë ne mund të gjejmë njerëz që janë imunë, që mund të jenë në vendin e punës në një mjedis më të sigurt. Por ne nuk mund të lejojmë Kinën, për shembull, të na sjellë testet e rreme dhe të falsifikuara, sepse kjo do të ishte shumë e rrezikshme“, tha Navarro për “Fox and Friends”.
“Ka shumë prej këtyre testeve të antitrupave që vijnë nga Kina tani, që janë me cilësi të ulët, japin përgjigje të rreme etj”.
Shtetet e Bashkuara varen nga Kina për pajisjet themelore dhe ilaçet. Dy rivalët strategjikë dhe tregtarë kanë shkëmbyer shumë akuza gjatë shpërthimit.
Navarro e akuzoi Kinën, ku koronavirusi besohet të ketë origjinën në qytetin e Vuhanit, për përhapjen e virusit në pjesën tjetër të botës pasi “ata e mbajtën të fshehur për gjashtë javë”.
“Ata mund ta kishin kufizuar virusin në Vuhan”. tha ai. “Nuk e bënë. Ata e mbollën në botë, me anë të qindra mijëra kinezëve që udhëtuan me avion drejt Milanos, Nju-Jorkut dhe vendeve të tjera”.
Kina ka hedhur poshtë akuzat e ShBA-ve, përfshirë edhe ato të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili tha se ajo e fshehu shpërthimin, ndërsa të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, i kërkoi Pompeos të ndalojë lojën politike. “Më mirë kursejeni energjinë për të shpëtuar jetë”.
Me më shumë se 970 000 raste dhe 55 000 viktima nga COVID-19, Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi më i prekur në botë. /Reuters