Kampionati italian do të zhvillojë ndeshjet e para për vitin 2019 ku do të luhen takimet e javës së 20.
Roma-Torino do të jetë sfida hapëse, e cila do të startojë këtë të shtunë në stadiumin Olimpico duke filluar nga ora 15:00. Skuadra e teknikut Di Francesko pozicionohet në vendin e 6 në tabelën e klasifikimit në kuotën e 30 pikëve. Verdhekuqtë kanë zhvilluar fazën e parë të kampionatit larg pritshmërive ndërkohë që do të bëjnë të pamundurën për ta përmbysur situatën aktuale ku ndodhet klubi.
Të shtunën do të zbresë në tapetin e San Siros skuadra e Interit. Zikaltërit kanë një ndeshje të kalueshme të paktën në letër pasi përballe do të kenë Sassuolon, e cila është në krizë rezultatesh. Zikaltërit vijnë në këtë takim me moralin e lartë pas fitores së thellë në Kupën e Italisë. Tekniku Luçiano Spalleti do të hedhë në fushë të gjithë lojtarët titullarë të udhëhequr nga kapiteni Mauro Icardi. Objektivi i interit është kualifikimi në Champions League dhe aktualisht mbajnë vendin e 3 në renditje të pacënuar nga Lazio me 7 pikë më pak.
Skuadra anti-Juventus, Napoli do të luajë të dielën një ndeshje tepër delikate përballe Lazios në San Paolo. Bardhekaltrit duan ta ndjekin hap pas hapi skuadrën e Juventusit për t’ja bërë më të vështirë fitimin e titullit kampion. Përballë do të kenë Lazion që po zhvillon një nga sezonet më të mira në vitet e fundit. Të hënën do të zbresin në fushë dy finalistët e Superkupës së Italisë, Milan dhe Juventus.
Kuqezinjtë do të udhëtojnë në transferten delikate të Genoa-s ku objektivi është fitoreje. Kuqezinjtë po kalojnë një sezon me plot ulje e ngritje. Objektivi është rikthimi në Champions League, por konkurrenca është tepër e fortë. Juventus–Chievo është ndeshje përmbyllëse e javës së 20 në kampionatin italian.
Bardhezinjtë nuk pritet të hasin problem përballë vendit të fundit në renditjen e Serie A. Në këtë takim, trajneri Massimiliano Allegri pritet t’i japë hapësira lojtarëve që nuk kanë patur shumë minuta nën këmbë në këtë sezon.